Kupa e Shqiperise

Ze Maria: Vllaznia luan në Superiore, por ne jemi Tirana!

Tirana rikthehet të luajë një klasike të futbollit shqiptar pak muaj pas atij barazimi dramatik në “Loro Boriçi”, që ndryshoi përgjithmonë historinë e klubit bardheblu. Në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë, kryqytetasit sfidojnë Vlazninë në një duel shumë të rëndësishëm për sezonin e skuadrës së Ze Marias, i cili ka si objektiv edhe trofeun e dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Në konferencën e shtypit përpara kësaj sfide, trajneri brazilian kërkon që skuadra të hedhë pas krahëve barazimin ndaj Shënkollit dhe të fokusohet te dueli i radhës.

“Do të jetë një derbi për historinë, një ndeshje shumë e rëndësishme për popullin bardheblu, por edhe një ndeshje e vështirë, sepse plaga është ende e hapur. Kam folur me djemtë për atë çfarë ndodhi sezonin e shkuar, por ajo është e kaluar dhe ne jemi një skuadër tjetër, prandaj duhet të luajmë ndaj një ekipi të Kategorisë Superiore. E respektojmë sepse sot qëndron një kategori më sipër, por ky fakt nuk do të na detyrojë të ndryshojmë mentalitet. Është një përballje që zgjat 180 minuta. E kemi studiuar Vllazninë dhe do të kërkojmë të bëjmë më të mirën. Jam i sigurt se mund të luajmë si të barabartë kundër çdo skuadre të Kategorisë Superiore. I njoh mirë lojtarët e mi dhe kam besim të verbër tek ata”.

Në vijim, Ze Maria nuk i kursen elozhet as për skuadrën e Ernest Gjokës, duke e pranuar se është një ekip që nuk meriton vendin që ka aktualisht në klasifikim.

“E kam ndjekur disa herë Vllazninë në televizor dhe mund të them se është një skuadër që nuk e meriton vendin që ka në klasifikim. Janë një skuadër që është mësuar me presionin e Kategorisë Superiore, por ne duhet të shfrytëzojmë faktin që luajmë në shtëpinë tonë për të marrë një rezultat pozitiv në përballjen e parë.

Barazimi në transfertën e Shënkollit krijoi polemika të mëdha edhe për vendimin e trajnerit për t’ia dhënë shiritin e kapitenit një lojtari të ardhur në merkaton e verës, por Ze Maria ka një përgjigje për këtë.

“Çështja e shiritit të kapitenit tashmë është e kaluar dhe unë nuk e kam kuptuar ende pse duhet të bëhet një çështje kaq e madhe. Karabeci dhe Lika janë liderë të kësaj skuadre, por në transfertën e Shënkollit zgjodha Sentamun për ta mbajtur shiritin pasi ai është një shembull për të gjithë të tjerët për mënyrën sesi stërvitet. Në vend të tij mund të ishte Daja apo çdo lojtar tjetër, zgjodha atë për të treguar se kur lojtarët stërviten me seriozitet, të gjithë mund të jenë kapitenë”.

To Top