Ligue 1

Vonesa në grumbullim, pritet ndëshkimi i Cavanit e Pastores

Paraqitja e vonuar në ekip për të nisur seancat stërvitore pas pushimeve dimërore për festat e fundvitit, duket se do të ketë pasoja të kushtueshme për uruguaianin Edison Cavani dhe argjentinasin Javier Pastore. Të dy lojtarët amerikano jugor pritet të gjobiten nga klubi i Paris Saint Germain për vonesat respektive.

Edhe pse klubi i Parisit në një komunikatë pati lajmëruar se ishte i informuar për të gjitha datat që do të shënonin rikthimin e lojtarëve sërish ka vendosur që të mos lërë pa kosto veprimin e ndërgjegjshëm dhe jo korrekt të këtyre dy protagonistëve.

Siç raporton e përditshmja franceze L’Equipe, skenari mund të ketë pasoja edhe më të rënda pasi një veprim i tillë mund t’i hapë rrugë edhe largimit të tyre, me Interin që më në fund do të mund të bënte realitet objektivin Javier Pastore.

Në të vërtetë raporti mes argjentinasit dhe klubit parizien nuk ka qënë ndër më optimalët gjatë javëve të fundit, që pas kërkesës së 28 vjeçarit për t’i rezervuar më shumë minutazh në fushë, në prag të Botërorit. Siç vijon artikulli i L’Equipe, zikaltërit e Interit shohin tek kërkesa e tij për t’u aktivizuar më shumë, mundësinë që i hap rrugë një transferimi të mundshëm drejt tyre.

Ndërkohë që masa ndëshkimore për sulmuesin Cavani pritet të jetë edhe më e lartë duke qenë se ky nuk është një rast i izoluar nga ana e uruguaianit, pasi edhe në vitin 2015 kthimi i tij pas pushimeve ishte sërish i vonuar.

To Top