Kupa e Shqiperise

Vllaznia me 5 mungesa ndaj Tiranës, Kupa si kthesë për sezonin

Kupa si mënyrë për të shpresuar te kthesa e sezonit. Në Klasiken ndaj Tiranës, te Vllaznia po tentojnë që të paktën për një ndeshje ta shkëpusin vëmendjen nga kampionati, aty ku skuadra është në luftë për mbijetesën.

Megjithatë, dueli historik me bardheblutë mund t’i shërbejë skuadrës për t’i dhënë një impuls të ri, por edhe për ngritur moralin. Sfida e prestigjit, përballë një kundërshtari mjaft cilësor, mund të jetë barometri për të mbyllur sa më mirë gjysmën e parë të sezonit, por edhe si një provë për lojtarët.

Pavarësisht rezultatit 2-0 të ndeshjes së parë, Vllaznia nuk niset e humbur. Në Shkodër besojnë se mund të ndryshojnë rrjedhën e ndeshjes, duke realizuar të paktën dy gola për të kaluar në kohën shtesë.

Misioni nuk është aspak i lehtë dhe situata vështirësohet nga dëmtimet. Katër mungesa të deklaruara, ku më i prekur është reparti i mbrojtjes me Pjeshkën dhe Markun që nuk do të jenë në fushë. Atyre u shtohen edhe mesfushori Bardulla, por edhe sulmuesi italo-ganez, Atsina.

Sikur kjo të mos mjaftonte, trajneri Gjoka ka paralajmëruar se pushim do të qëndrojë edhe njëri prej mesfushorëve titullarë. Një mënyrë që lojtarëve t’u jepet pak oksigjen, për të shkarkuar më pas bateritë në dy ndeshjet e fundit të kampionatit për këtë vit, ndaj Kamzës dhe Partizanit, përpara pauzës së shkurtër dimërore.

To Top