Kategoria Superiore

Vijojnë përgatitjet, Flamurtari stërvitet edhe nën shi

Ritëm i lartë për të fituar ngarkesën e plotë fizike. Flamurtari sfidon kushtet e motit në Antalya, ku vazhdon fazën përgatitore në kuadër të pjesës së dytë të sezonit. Skuadra vlonjate po stërvitet me ritëm të plotë pasi trajneri Shpëtim Duro e ka zbritur në fushë 2 herë në ditë ekipin.

Vetëm një ditë pas disfatës 1-0 në miqësoren me Erzurumspor, skuadra vlonjate hedh çdo gjë pas dhe fokusohet tek 90-minutëshi i së Hënës kundër Aktobes. Grupi i plotë është vënë nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro. Përveç ushtrimeve fizike, një pjesë të rëndësishme ka zënë edhe përgatitja në aspektin teknik.

Një pjesë e skuadrës është ndarë në 2 grupe duke u stërvitur me një ushtrim të veçantë në formatin e ping-pongut, por në fushë të hapur. Ndeshja kundër kazakëve të Aktobes do të luhet të Hënën në orën 15:00 me orën tonë. Sfida do të zhvillohet në qytezën e Belekut.

Ky do të jetë një tjetër test i vlefshëm për trajnerin kryeqytetas, i cili synon të konsolidojë sa më shumë grupin pas ndryshimeve të bëra në merkato, në prag të një sezoni të ngjeshur dhe impenjativ për skuadrën vlonjate që i mbylli 2 fazat e para në vendin e dytë të klasifikimit.

To Top