Formula 1

Vettel ruan qetësinë: Kontakti me Verstappen, gjëra që ndodhin

Kontakti mes Marc Marquez e Valentino Rossit, që provokoi rrëzimin e italianit në Çmimin e Madh të Argjentinës, u pasua me polemika të shumta dhe akuza të rënda të 7 herë kampionit të botës në Moto GP kundrejt spanjollit. Krejtësisht ndryshe është përjetuar një situatë analoge në Formula 1. Sebastian Vettel e nisi në “pole position” Çmimin e Madh të Kinës, megjithatë problemet për pilotin e Ferrarit nisën që në ndalesën e parë në bokse, ku vonesa e mekanikëve i kushtoi kreun, më pas gomat  e ngadalësuan shumë dhe e pa veten në pozicionin numër 3, duke luftuar me Verstappen. Pikërisht në atë moment holandezi gaboi plotësisht, duke goditur njëvendëshen e 4 herë kampionit të botës. Vettel humbi disa pozicione dhe e mbylli në vendin e 8-të.

Kjo nuk është hera e parë që Verstappen me agresivitet të tepruar i ka shkaktuar probleme pilotit gjerman, pra e njëjta histori si me dyshen Rossi-Marquez , megjithatë ferraristi e ka marrë me shumë më shumë sportivitet se Valentino.

“Këto janë garat e shpejtësisë, në disa raste të favorizojnë e në raste të tjera të penalizojnë, janë gjëra që ndodhin. Ishte një moment negativ për të dy. Sigurisht mund ta evitonte atë manovër, por gjithsesi më erdhi mirë që kërkoi ndjesë.”

Menjëherë pas garës Max Verstappen pranoi përgjegjësitë, duke i kërkuar falje pilotit të Ferrarit. 20-vjeçari u shfaq mjaft i zhgënjyer me paraqitjen e tij në Çmimin e Madh të Kinës.

To Top