Vëllazënimi mori një fitore minimale, por shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, përballë një rivali direkt. Në sfidën e javës së 26, gjakovarët triumfuan me rezultatin 1-0 ndaj Drenicës, duke ngushtuar distancën me kunërshtarin, në vetëm një pikë në renditje.
Vëllazënimi mbeti me 10 futbollistë që në minutën e 16’, kur Muhaxhiri mori karton të kuq, por vetëm 7 minuta më pas Vula gjeti golin e fitores, që më pas gjakovarët e mbrojtën me fanatizëm.
Në sfidën tjetër të javës së 26, Llapi mposhti minimalisht 1-0 Gjilanin, duke u rikthyer në vendin e 4-t të renditjes. Për skuadrën e Tahir Batatinës vendosi një gol i shënuar nga sulmuesi Mirlind Daku në pjesën e dytë, për t’i dhënë 3 pikët.
Java e 26 e Vala Superligës do të mbyllet nesër me sfidën mes Flamurtarit dhe Prishtinës, me kryeqytetasit që nuk fitojnë prej 3 javësh.