Kosova

Ujkani vlerëson Challandes: Ka ide të qarta, impakt shumë pozitiv

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po qëndron në Paris, ku do të zhvilloj dy ndeshjet e ardhshme miqësore me Madagaskarin dhe Burkina Fason.

Pa kaluar 1 muaj pas marrjes zyrtare të detyrës, Bernard Challandes do të debutojë si trajner i Kosovës të shtunën në ndeshjen ndaj Madagaskarit. Ekipi i Supersport është i vetmi televizion shqiptar që po përcjellë nga afër aktivitetet e “Dardanëve”.

Kapiteni Samir Ujkani në një intervistë për supersport, vlerësoi trajnerin e ri të Kosovës, por edhe elementët e rinj që i janë bashkuar kësaj përfaqësueseje.

Si është atmosfera në Përfaqësuesen e Kosovës, me trajnerin e ri, Bernard Challandes?
Ujkani: Trajneri i ri ka sjellë impakt shumë të mirë te grupi, pasi i kemi kuptuar direkt idetë e tij dhe i kemi vënë në zbatim, duke reaguar shumë mirë. Besoj se edhe trajneri ka qenë shumë i kënaqur. Nesër është një ndeshje shumë e rëndësishme në kuadër të përgatitjeve për Ligën e Kombeve, që do të startojë në Shtator dhe duam të paraqitemi mirë.

Kanë ardhur edhe disa djem të rinj në ekip. Sa i kënaqur jeni nga prurjet e reja dhe vendimi i tyre për të zgjedhur Kosovën?
Ujkani: Jam i kënaqur që edhe djemtë e rinj janë duke zgjedhur Kosovën, pasi kanë dëshirë të ndihmojnë vendin e tyre. Besoj se kjo do ta ndihmojë Kosovën, që të avancojë sa më shumë dhe të rritë nivelin e paraqitjes.

Mendoni se Challandes është trajneri i duhur për të drejtuar Kosovën?
Ujkani: Federata e ka zgjedhur këtë trajner, për ta çuar Përfaqësuesen në një tjetër nivel. Tashmë kemi gati dy vjet bashkë dhe presim të zhvillojmë paraqitje mjaft të mira në Ligën e Kombeve.

Cilat ishin fjalët e para që ju tha trajneri i ri?
Ujkani: Në fjalën e parë të tij, Challandes na kërkoi të që t’i qëndrojmë mentalitetit shqiptar, duke luftuar shumë dhe dhënë maksimumin.

To Top