Ish lideri dhe kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana do të jetë i ftuar në Londër, ku do të shfaqet për herë të parë dokumentari ‘Triumph’.
Me regji të Kreshnik Jonuzit dhe Luftar Von Ramës, ky dokumentar sjell histori të ndryshme, duke prekur aspektet kulturore, politike dhe historike, pas ndeshjes së futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë në vitin 2014.
Dokumentari do të shfaqet në kinemanë “The Prince Charles Cinema”, ku të gjithë të pranishmit do të kenë mundësi të takojnë dhe t’i drejtojnë pyetje ish kapitenit, Lorik Cana.
Dokumentari ‘Triumph’ zgjat 88 minuta dhe përfshin intervista e momente special, mbi futbollistët e kombëtares shqiptare. Ai është prodhuar me një buxhet tejet të ulët dhe falë donacioneve të disa komuniteteve shqiptare në SHBA, ndërsa u shfaq për herë të parë në Poloni, gjatë Festivalit të Filmit në Varshavë, më datat 19-21 tetor 2017.
Të ardhurat nga kjo mbrëmje do të përdoren për përfundimin e postproduksionit të filmit dhe për Fondacionin “Lorik Cana 5”.