Serie A

Transferimi i De Vrij, Ausilio replikon me Igli Taren

Drejtori Sportiv i Interit ka replikuar me Igli Taren në lidhje me transferimin e mbrojtësit holandez De Vrij, te skuadra zikaltër.

Ditën e diel shqiptari tha se dikush po luan pisët me këtë histori, por nuk e dinte nëse ishte Interi, apo ndonjë media e caktuar, duke theksuar se nuk duhej të dilte lajmi për kontratën e De Vrij me zikaltrit, pikërisht në këtë periudhë.

Gjithsesi Piero Ausilio ka qenë i qartë në atë që ka thënë, duke pretenduar se Interi ka respektuar çdo lloj norme në këtë negociatë dhe se kontratën e kishte depozituar prej kohësh në Ligë.

“Tare thotë mendimin e tij, por ne nuk kemi gabuar asnjë gjë në këtë çështje. Kemi njoftuar klubin e Lazios me një komunikatë që në muajin Mars dhe nga ajo kohë, De Vrij jo vetëm që është paraqitur gjithmonë në nivele të larta, por kohët e fundit ka bërë edhe portierin. Nëse do të luajë apo jo ndaj Interit, kjo është një çështje që nuk më përket aspak mua”, deklaroi Ausilio.

To Top