FA Cup

Tottenham frenohet nga skuadra e Ligës së 3-të

Të fort me të mëdhenjtë dhe zhgënjyes me skuadrat e vogla. Tottenhami mbetet një skuadër që e ka të vështirë të ruajë ecurinë pozitive për një kohë të gjatë.

Kjo u konfirmua edhe në sfidën e FA Cup, e mbyllur në barazim 2-2 përballë Rochdale, skuadrës që mbyll renditjen në kategorinë e 3-të angleze. Dueli tashmë duhet të riluhet, për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohet në çerekfinalet e turneut.

Me formacionin tërësisht të ndryshuar, krahasuar me skuadrën që i krijoi jo pak vështirësi Juventusit, të besuarit e Pochettinos e mbyllën pjesën e parë të sfidës në disavantazh, pas golit të Henderson në fundin e pjesës së parë.

Spurs arritën të barazonin shifrat përpara se kronometri të tregonte një orë lojë, me Lucas, ndërsa aktivizimi i Harry Kane nga stoli ndryshoi ndeshjen në favor të londinezëve.

Në sekondat e fundit të sfidës, vetëm 12 minuta pas aktivizimit nga stoli, ylli anglez i sulmit kaloi Tottenhamin në avantazh. Goli i 8 në 6 ndeshjet e fundit në FA Cup për Harry Kane, që gjithsesi nuk mjaftoi, sepse Rochdale barazoi shifrat me Davies në kohën shtesë.

Pas surprizës në “Wembley”, ëndrra e skuadrës që nuk ka arritur asnjëherë mes 8 më të mirave të evenimentit vazhdon. Me ndeshjen që do të riluhet, këtë herë në fushën e Spurs, Rochdale synon një sukses historik.

To Top