Kategoria Superiore

Titulli i Skënderbeut, si i Bayernit apo Manchester City-t?

Skënderbeu si Bayerni apo Manchester City? Po, është e mundur, në kuptimin që skuadra korçare i ka të gjitha mundësitë që ashtu si padronët e Bundesligës apo dominuesit e Premier League-s të fitojë matematikisht titullin 5 javë para fundit të kampionatit. Natyrisht që për t’ia arritur duhet të bëjë një marsh triumfues në një hark të shkurtër kohor, më saktësisht brenda 9 ditëve, ku skuadra e Ilir Dajës do të përballet me 3 nga skuadrat më të kuotuara të kampionatit. Nis gjithçka këtë mesjavë nga gjysmëfinalja e kthimit në Kupë përballë Flamurtarit.

Këtë vit në Korçë e duan trofeun, kërkojnë triumfin e dyfishtë në sezonin ndoshta më delikat në historinë e klubit për sa u përket çështjeve jashtë fushe. Skënderbeut i duhet që në Vlorë të përmbysë disavantazhin 1-0 të sfidës së parë për të prerë biletën e finales në kërkim të një Kupe që nuk e ka fituar kurrë më parë në histori. Për trofeun tjetër, atë të kampionit, të 8-in në historinë e klubit dhe të 7-in në 8 sezonet e fundit, finalet janë me dy skuadrat që ndjekin në renditje.

Fundjavën e ardhshme Skënderbeu viziton kryeqytetin për t’u ndeshur me Partizanin e plagosur në “Zeqir Ymeri”, një sfidë që ofron vështirësinë maksimale, por në këtë sezon skuadra korçare ka treguar se di të mposhtë çdo rival. Në rast të një suksesi edhe nëse Kukësi fiton në Laç Skënderbeu do të ruante distancën prej 12 pikësh, për ta kërkuar festën e trofeut, pikërisht mesjavën e ardhshme, kur do të presë në shtëpi kampionët në fuqi të Superiores.

Në fakt duket sfida ideale për dorëzimin e stafetës së kampionëve, një përballje e drejtpërdrejtë ku nëse fiton, Skënderbeu do ta çonte në 15 pikë diferencën, duke marrë bekimin e matematikës për titullin kampion edhe falë superioritetit në përballjet direkte me verilindorët 5 javë para fundit, pikërisht si Bayerni apo Manchester City.

 

To Top