Kupa e Shqiperise

Tirana-Vllaznia dhe rikthimi i derbit të Shqipërisë

Në majin e kaluar imazhet që vinin nga Shkodra ishin “trishtuese” për çdo person që dashuron futbollin shqiptar, në një ndeshje direkte në javën e fundit Vllaznia dhe Tirana do të përcaktonin mes tyre, se cila do të qëndronte në Superiore dhe se cila do të zbriste një kategori më poshtë. Dy prej ekipeve më të vjetra të futbollit shqiptar, gjendeshin në një situatë të pazakontë dhe shorti i Kupës që i vendosi përballë njëra-tjetrës duket sikur është dhe një triumf për lojën, pasi mbi të gjitha rikthen derbin e Shqipërisë. Tirana do të luajë sërish përballë Vllaznisë në sezonin më të vështirë të historisë së saj dhe realisht në këto muaj bardhebluve të tilla përballje u kanë munguar, ashtu siç i ka munguar dhe vetë Vllaznisë një sfidë me Tiranën sepse historia asnjëherë nuk mund të hidhet pas, pasi kjo ndeshje është zanafilla e futbollit shqiptar. Dy klube që kanë të përbashkët dhe personat që kontribuan në krijimin e tyre, pasi sipërmarrësi i injektimit të lojës në të dyja qytetet ka qenë i njëjti, Palok Nika. Vllaznia u krijua në 1919 por ajo ishte derivat i një tjetër klubi themeluar në Shkodër në vitin 1913, Indipencia, që ndeshjen e saj të parë e luajti ndaj një formacioni hungarez. Ndërkohë bardheblutë u formuan në vitin 1920, nën emrin e shoqërisë Agimi dhe ndeshja e tyre e parë ishte ndaj Vllaznisë duke lidhur përgjithmonë fatet e këtyre ekipeve sëbashku. Iniciatorët e krijimit të kësaj shoqërie sportive ishin pikërisht Palok Nika, Erebara, Jakova, Koja, Frashëri, Fortuzi, Alizoti e shumë të tjerë. Kryeqytetasit do të fitonin titullin e parë në vitin 1930 dhe do të shndërroheshin në klubin më të titullar në vend, ndërsa Vllaznia jo vetëm që do të njihej si djepi i futbollit por gjithashtu do të cilësohej gjithmonë si prodhuesja kryesore e futbollit të bukur në vend. Një prej fitoreve më të bujshme të shkodranëve në kryeqytet është ajo e sezonit 1970-1971, ku golat e Cangës dhe Kocobashit dhe pritjet e portierit Ndoja i dhanë suksesin Vllaznisë.

Në ditët aktuale këto imazhe duken paksa të largëta me situatën aktuale të të dyja klubeve, por megjithatë Tirana-Vllaznia mbetet dhe do të jetë gjithmonë ndeshja, në të cilën është e shkrirë,e kaluara, e tashmja por dhe e ardhmja e lojës në vend.

To Top