Basketboll

Tirana shpallet kampione, triumfon në finale ndaj Teutës

Tirana shpallet kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj. Bardheblutë triumfuan në finalen e 5-të përballë Teutës në një takim emocionues në “Asllan Rusi”. Hysenagolli, Karaj dhe Shima ishin edhe një herë udhëheqësit e skuadrës nga kryeqyteti që siguroi titullin numër 20 në histori.

Sfida e zhvilluar në Tiranë nisi me bardheblutë të përqendruar për të mos përsëritur gabimet e ndeshjes së kaluar në Durrës dhe për rrjedhojë erdhi avantazhi 21-14 në fund të periodës së parë. Gjatë segmentit të dytë djemtë e detit reaguan dhe ngushtuan diferencën deri në 4 pikë.

Pas pushimit skuadra e drejtuar nga greku Antonio Doukas rifitoi ritmin e duhur dhe duke shfrytëzuar edhe pasiguritë e basketbollistëve të Teutës e dërgoi në +10 distancën. Në fraksionin përmbyllës, durrsakët u munduan të rihynin në lojë por qetësia dhe përvoja e bardhebluve i dhuroi Tiranës titullin kampion për edicionin 2017-2018.

68-60 përfundoi finalja e 5-të me kryeqytetasit që ngjiten sërish në majën e basketbollit shqiptar duke u hakmarrë ndaj Teutës për atë humbje në finalen e Superkupës. Viti i 2-të radhazi që Tirana meriton trofeun më të rëndësishëm të këtij sporti në vendin tonë.

To Top