Futboll

Teuta, miqësore dhe lojtarë në provë në Itali

Teuta humbi në ndeshjen e katërt miqësore në tokën italiane. Skuadra e Gugash Maganit u thye 2-1 nga skuadra e kategorisë së katërt, Sammaurese. Goli i vetëm për durrsakët u realizua nga përforcimi i kësaj vere, Dediç, por përtej rezultatit loja e shfaqur nga skuadra ishte në nivele të kënaqshme.

Në humbje ndikoi lodhja fizike, edhe sepse Teuta ka hyrë në kulmin e fazës përgatitore, ndërsa trajneri Magani i dha një shans të gjithë lojtarëve që të tregonin aftësitë e tyre. Për stafin teknik, këto teste nuk shërbejnë për rezultat, por më tepër për të vlerësuar futbollistët që i janë bashkuar skuadrës në provë dhe për të konfiguruar grupin për startin e kampionatit.

Në përgatitjet në Itali, skuadrës në provë i është bashkuar edhe sulmuesi Onyeka Osemene. 22-vjeçari nga Nigeria ka mbyllur aventurën në ligën e dytë portugeze dhe është afruar si futbollist i lirë te Teuta. Gjendja e tij do të vlerësohet nga trajneri Magani, i cili do të vendosë nëse Osemene është i vlefshëm për t’iu bashkuar Teutës për edicionin e ri.

To Top