Kategoria Superiore

Teuta largon Reza Karimin, Begeja drejton stërvitjen e parë

Humbja me Luftëtarin, në finalen e parë për mbijetesën, nuk ka kaluar pa pasoja te Teuta. Përveç largimit nga detyra e trajnerit Stavri Nica, klubi prishi kontratën edhe me sulmuesin Reza Karimi.19-vjeçari i huazuar nga Skënderbeu u zëvendësua pas vetëm 37 minutash lojë gjatë fundjavës. Ai paguan faturën e humbjes, me drejtuesit e ekipit që e kanë cilësuar të pamjaftueshëm impenjimin e futbollistit nga Irani në kauzën e bregdetarëve, që është mbijetesa mes më të mirëve në këtë kampionat.

Reza Karimi bëhet lojtari i tretë që largohet nga Teuta pas ecurisë larg pritshmëtive gjatë këtij edicioni, pasi në gjysmën e parë të kampionatit nga ekipi fillimisht u përjashtua mesfushori Albi Dosti, ndërsa më pas u prish me mirëkuptim kontrata me kapitenin Nijas Lena.Ndërkohë, trajneri Gentian Begeja zhvilloi stërvitjen e parë në drejtim të skuadrës, pas emërimit si zëvendësues i Nicës. Për shkak të rreshjeve dhe motit të ftohtë, seanca u zhvillua në palestrën e stadiumit.

Drejtuesi i ri i stolit do të debutojë këtë të mërkurë përballë Skënderbeut, në sfidën e kthimit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Një ndeshje që pritet të jetë thjesht formale, sepse përveç avantazhit me dy gola të korçarëve, Teuta është e përqendruar te kampionati.Impenjimi i radhës në kampionat për “Djemtë e Detit” është në trasfertën me Vllazninë, një tjetër finale mbijetese dhe për këtë arsye përballë Skënderbeut, Teuta pritet të hedhë në fushë lojtarët që kanë patur më pak minuta në dispozicion.

To Top