Kategoria Superiore

Teuta “harron” Kupën, mendon për kampionatin

Teuta  shkon në sfidën e kthimit të Kupës ndaj Skënderbeut me mendjen në kampionat. Djemtë e Detit kanë rrëshkitur në vendin e parafundit të klasifikimit dhe janë mposhtur në shtëpi 0-2 në sfidën e parë çerekfinale të Kupës nga korçarët. Matematikisht asgjë nuk është e pamundur por me problemet që ka shfaqur dhe gjendjen aktuale është e vështirë të mendohet një përmbysje e Teutës ndaj kryesuesve të kampionatit, skuadra më në formë e momentit Skënderbeu. Për këtë arsye prozhektorët janë të fokusuar në kampionat, ku fundjava i rezervon durrsakëve një transfertë delikate, në Loro Boriçi ndaj Vllaznisë në finalen e parakohëshsme të mbijetesës. Ndalesa në shtëpi me Luftëtarin bëri që Teuta të parakalohet pikërisht nga Vllaznia në renditje, ndërsa rokada do të tentohet në një sfidë direkte. Djemtë e Detit kanë kaluar një fundjavë të vështirë edhe në aspektin organizativ, pasi trajneri Stavri Nica mendoi dorëheqjen por që për momentin nuk u pranua nga presidenca e klubit. Pikërisht ndaj shkodranëve është edhe fitorja e fundit e Teutës në Niko dovana në fazën e dytë, ndërsa që nga ajo ndeshje kanë marë vetëm 3 pikë me 3 barazimet ndaj Flamurtarit, Lushnjës dhe Laçit. Ndaj Vllaznisë ky sezon ka sjellë vetëm buzëqeshje duke patur parasysh edhe fitoren e fazës së parë në transfertë, me drejtuesit dhe skuadrën që shpresojnë në përsëritjen e të njëjtit rezultat.

To Top