Futboll

Strakosha në ‘Zona Gol’: Dëgjova babain, ndala Dybalën

Thomas Strakosha ishte padyshim heroi i Lazios në fitoren ndaj Juventusit në Torino. Portieri i kombëtares shqiptare priti penalltinë e Dybalës, në minutën e fundit shtesë, por edhe disa gjuajtje të rrëzikëshme gjatë ndeshjes. Gardiani i Lazios ishte në një lidhje të drejtëpërdrejtë në emisionin ‘Zona Gol’, në Supersport, ku tregoi emocionet e ndeshjes dhe sekretin e pritjes së penalltisë.

-Keni gëzuar shumë pas pritjes së penalltisë së Dybalas, kaq i veçantë ishte ky moment?
Strakosha: Nuk mund t’i shpjegoj emocionet që kisha, pas asaj ndeshjeje. Të presësh penallti në sekondat e fundit është diçka fantastike, aq më tepër që morëm edhe fitoren me përmbysje.

-Kush të uroi i pari pas ndeshjes?
Strakosha: Urimet e para i mora direkt nga familja. Aq sa ka bërtitur babai, nuk kam gëzuar as vetë.

-Është e vërtetë që Foto të ka këshilluar për pritjen e penalltisë?
Strakosha: Babi më ka këshilluar gjithmonë por nuk e kam dëgjuar. një herë që e dëgjova, më shkoi mirë, sepse i prita penalltinë Dybalës dhe i dhashë fitoren ekipit.

– Sa larg mund të shkojë Lazio këtë vit?
Strakosha: Kemi një grup shumë të mirë dhe bësoj se mund të bëjmë gjëra të mëdhaja. Edhe në aspektin personal, pres që të rritem akoma më shumë.

-Një ish portier i Juventusit, i ka këshilluar bardhezinjve emrin tuaj si pasardhës i Buffon. Do të të pëlqente një transferim te bardhezinjtë?
Strakosha: Nuk di gjë për interesimin e Juventusit, por jam shumë i lumtur të Lazio. Kam besimin e trajnerit, të drejtorit dhe gjithë klubit dhe dua të qëndroj gjatë këtu.

Strakosha tregoi se ka marrë edhe shumë urime nga shokët e skuadrës te kombëtarja shqiptare, ndërsa theksoi se gëzon marrëdhënie të mira me të gjithë dhe shpreson që të arrijë diçka edhe me kuqezinjtë.

To Top