Serie A

Spalletti: Fitore që shijon shumë, Napoli qëndron më lart

Luciano Spalletti i gëzohet fitores së tij të parë në derbin e Milanos. Falë një super Mauro Icardi, autor i 3 golave në suksesin 3-2 ndaj Milanit, Interi u rikthye te fitorja në derbi dhe Spalletti nuk mund ta fshihte kënaqësinë përpara mediave në fund të sfidës së zhvilluar në San Siro. “ Ishte një fitore me shije shumë të ëmbël, të triumfosh në të tilla duele në një ambient si ky, ke shumë entuziasëm për vazhdimin e sezonit”. Më pas Spalletti analizoi edhe ndeshjen. “ Ishim të aftë për të kuptuar se cili ishte momenti i duhur që duhet ta shfrytëzonim, Icardi është një lojtar i madh”.

Të shtunën e ardhshme Interi sfidon Napolin në San Paolo në një sfidë mes dy skuadrave kryesuese, por trajneri i zikaltërve e pranon se aktualisht skuadra e Sarrit qëndron disi më lart.” Ata kanë një grup fantastik lojtarësh dhe deri tani kanë zhvilluar një sezon të magjishëm, por ne do të shkojmë në Napoli për të fituar, pasi kush mban veshur fanellën e Interit ka detyrime ndaj të gjithë tifozëve tanë”, shtoi në fund Spalletti.

 

To Top