Europa League

Sot ndeshjet e fundit në grupe, presin biletën 8 skuadra

Europa League vjen sot me ndeshjet e fundit të fazës në grupe, para se të kalojë te takimet me eliminim direkt. Pas 5 takimeve të para, kanë arritur të presin biletën plot 16 skuadra, ndërsa në mbrëmjen e fundit për këtë vit, pritet të sigurojnë kualifikimin edhe 8 skuadra të tjera.

Kështu në Pragë, Sllavia do të presë Astanën, në një sfidë direkte për kualifikim. Çekët mjaftohen edhe me barazimin, sepse kanë një epërsi prej 2 pikësh ndaj kazakëve, që sot do të kërkojnë me çdo kusht fitoren.

Edhe Në grupin C Ludogorets dhe Basaksehir do të përcaktojnë se cila do të kualifikohet, pas përfundimit të ndeshjeve respektive, përkatësisht ndaj Hoffenhaimit dhe Bragës. Bullgarët janë thuajse të kualifikuar sepse kanë në favor golavarazhin, ndërsa turqit duhet të fitojnë thellë dhe të shpresojnë për një humbje me shumë gola nga ana e Ludogoretsit.

E njëjta situatë është edhe për AEK-un e Athinës, që do të udhëtojnë në Austri për të marrë minimalisht 1 pikë. Rijeka do të përballet me Milanin e Gattusos, që pavarësisht formës së dobët në kampionat, në Europë ka treguar se di të fitojë me goleadë.

Llogaritë tërësisht të hapura janë në grupin F, ku Sherif Tiraspoli, Lokomotiva e Moskës dhe Copenhageni, kanë të gjitha shanset për t’u kualifikuar. Më të favorizuar duket rusët e Lokomotivës, që do përballen me skuadrën më të dobët të grupit, Zlinin, ndërsa në Danimarkë, Copenhageni do të presë moldavët e Sherifit në sfidën deçizive.

Një ndeshje mjaft e zjarrtë pritet të luhet edhe në Serbi, ku Crvena Zvezda do të presë gjermanët e Kolnit, në një takim përcaktues për të kualifikuarën e dytë të grupit, pas Arsenalit kryesues. Si serbët ashtu edhe Kolni kanë nga 6 pikë dhe golavarazh të njëjtë, ndërsa 90-minutëshi i sotëm do të përcaktojë gjithçka.

Spanjollët e Athletic Bilbaos, pasi ndalën Realin e Madridit në la Liga, do të tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë në transfertën ukrainase ndaj Zoryas. Spanjollët duhet të dalin të pamposhtur nga kjo sfidë, për të siguruar avancimin më tej, në Europa League.

Në grupet e tjera, gjithçka është përcaktuar, ndërsa krahas 16 skuadrave që e kanë siguruar kualifikimin, Europa Leagues i janë shtuar edhe 8 skuadra që përfunduan të 3-tat në grupet e Championsit dhe bashkë me 8 skuadrat që do të kualifikohen sot, do ta çojnë në 32 numrin total të ekipeve, që do të synojnë fitimin e trofeut të dytë më të rëndësishëm për klube, në Europë.

Edhe këtë mbrëmje, Supersport do të sjellë për ju 6 takime të transmetuara live, si dhe golat e të gjitha sfidave të tjera. Kështu në orën 19:00 do të transmetohen:

Young Boys – Skënderbeu Supersport 2
Rijeka – Milan Supersport 3
Atalanta – Lyon Supersport 4
Golat Direkt Supersport 5

Në orën 21:05 do të transmetohen:
Arsenal – Bate Supersport 2
Zulte – Lazio Supersport 3
Vitesse – Nice Supersport 4
Golat Direkt Supersport 5

To Top