Regby

Skocia nuk gabon në shtëpi, mposht sërish Francën

Për herë të parë që nga viti i largët 1992, Skocia siguron dy suksese radhazi në shtëpi ndaj Francës, duke regjistruar njëkohësisht edhe fitoren e parë në edicionin e 19 të Kupës së 6 Kombeve në Regbi. Në Edinburg skocezët treguan karakter, duke konfirmuar edhe një herë tjetër forcën e tyre kur luajnë në stadiumin e famshëm ‘Murrayfield’, ku vendasit kanë humbur vetëm ndaj kampionëve në fuqi të botës, “All blacks”-at e Zelandës së Re, në 8 ndeshjet e fundit.

Gjelat e filluan shkëlqyeshëm takimin duke zhbllokuar rezultatin që në minutën e dytë me Teddy Thomas, ndërsa në minutën e 9′ skuadra e Jacques Brunel shkoi në +10 falë numrit 9 Maxime Machenaud. Skocia reagoi shpejt duke shënuar me anë të Sean Maitland, gjithsesi pothuajse një çerek ore më vonë, ishte sërish Teddy Thomas që realizoi për miqtë në mënyrë të shkëlqyer, duke finalizuar përsëri një aksion personal.

Në disavantazhin 17-7 ishte radha e Huw Jones për të ngushtuar diferencën dhe numri 13 i skocezëve afroi skuadrën e tij pas diçka më shumë se gjysmë ore lojë në shifrat 17-14. Fraksioni hapës u mbyll me rezultatin 20-14, kur Machenaud shënoi me një goditje dënimi, gjithsesi ky ishte edhe kontributi i fundit i 29-vjecarit nga Bordoja në ndeshje.

Në vazhdim mungesa e tij u ndje vërtet shumë, megjithëse vlen të theksohet se pavarësisht dëshirës, motivimit dhe lojës së mirë nga ana e ekipit vendas, te Franca u vunë re edhe shenja lodhje. Kështu në gjithë pjesën e dytë miqtë realizuan vetëm dy penalty kick në minutat 46 e 57 me zëvendësuesin e Machenaud, Baptiste Serin, por Skocia në krahun tjetër ishte e pandalshme dhe arkitekti i këtij triumfi ishte padyshim Greig Laidlaw, lojtari i ndeshjes, që shënoi edhe 20 pikët e fundit për skuadrën e Gregor Townsend.

32-vjeçari që ka lindur pikërisht në Edinburg dhe që luan në kampionatin francez me Clermont, nuk gaboi asgjë, duke realizuar 6 nga 6 goditjet e dënimit në dispozicion, për t’i dhënë përfundimisht fitoren Skocisë me shifrat 32-26. Franca që në takimin hapës u mund nga Irlanda vetëm në kohën shtesë nga një drop i Xhoni Sekton, pati katër minuta kohë për të përmbysur disavantazhin, sidoqoftë në fund vendasit u mbrojtën mirë dhe blu pësuan kështu humbjen e 8 në 9 ndeshjet e fundit, duke rrëshqitur në vendin e parafundit me vetëm 2 pikë, ndërsa Skocia në anën tjetër u ngjit menjëherë në pozicionin e katërt me 4 pikë, duke koleksionuar gjithashtu edhe të parin “Auld Alliance Trophy”, që simbolizon edhe trofeun e veçantë që do të jepet gjithmonë sa herë të përballen Skocia me Francën, si shenjë përkujtimore për regbistët e dy vendeve të rënë dëshmorë gjatë Luftës së Parë Botërore.

To Top