Kupa e Shqiperise

Skënderbeu pa rivalë në kampionat, i rrit vlerën Kupës

Fakti që Skënderbeu duket se nuk njeh rivalë në kampionat dhe po ecën me ritme thuajse të pakapshme në garën për titull, ka ndikuar në rritjen e kuotave të Kupës së Shqipërisë.Fitimi i këtij kompeticioni cilësohet nga skuadrat më të mëdha në vend si mënyra më e mirë për të mos e mbyllur sezonin pa trofe, por edhe për të luajtur në Kupat e Europës.Edhe pse nuk është luajtur ende gjysma e sezonit, paraqitjet fantastike të korçarëve i kanë bindur ekipet e tjera që t’i përqendrojnë forcat te Kupa.

Në këtë mënyrë trofeu do të marrë një vlerë të veçantë dhe këtu ka ndikuar edhe skema e aktivitetit, e cila parashikon duele të mëdha prej fazës çerekfinale.Në këtë mënyrë, në Grupin A, Kukësi pritet të ketë përballë Tiranën, me dy skuadrat që kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt këtij kualifikimit. Ndërkohë, Skënderbeu parashikohet të luajë me fituesen e çiftit Teuta-Kamza.Përballje të rëndësishme edhe në Grupin B, aty ku Partizani pritet të ketë përballë Flamurtarin në çerekfinale, ndërsa Laçi, pasi mbylli praktikën Lushnja në 90 minutat e para do të luajë me fituesen e çiftit Bylis-Luftëtari.

Sfida që premtojnë spektakël dhe ku të gjithë do të kërkojnë të fitojnë. Nëse prej fazës së parë të Kategorisë Superiore është thënë se Skënderbeu ka vrarë kampionatin, fakti është që korçarët i kanë bërë një nder të madh Kupës.

To Top