Europa League

Skënderbeu në ankth për James

James Adeniy mban në ankth Skënderbeun para ndeshjes me Yang Boys. Sulmuesi nigerian po has probleme për pajisjen me vizë dhe për këtë arsye ka mbetur në Tiranë dhe nuk është nisur me pjesën tjetër të grupit drejt Bernës, ku këtë të enjte në orën 19:00 skuadra korçare do të luajë ndeshjen e fundit në grupet e Europa League për këtë sezon.

Drejtuesit e klubit korçar janë duke bërë të pamundurën që James të pajiset sa më shpejt me vizë, por gjithsesi edhe në rastin më të mirë 24-vjeçari, për shkak të programit të linjave ajrore nuk mund të bashkohet me pjesën tjetër të grupit para mëngjesit të së enjtes. Megjithatë te Skënderbeu shpresojnë që të arrijnë të pajisin futbollistin nigerian me vizë, ndërkohë që trajnerit Ilir Daja nuk i mbetet tjetër veçse të mbajë pezull formacionin, në pritje për të mësuar nëse do ta ketë apo jo në dispozicion James.

Prezenca e tij është mjaft e rëndësishme për Skënderbeun, duke qenë se dhe sulmuesi tjetër Ali Sowe është i dëmtuar dhe nuk do të jetë përballë Yang Boys. James luajti në rolin e tij, në qendër të sulmit në përballjen e fundjavës të shkuar, duke shënuar edhe golin vendimtar të fitores 2-1 përballë Kukësit.

To Top