Një javë më tepër në dispozicion për tu përgatitur për gjysmën e mbetur të sezonit dhe për të realizuar operacionet e duhura në merkaton e janarit.Pauza e dimrit në Kategorisë Superiore është zgjatur me një javë, pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit, që shtyu për në datën 27 janar 2018 zhvillimin e javës së 17-të dhe jo më datën 20, siç ishte parashikuar më parë.Propozimi i bërë nga Sektori i Garave u miratua me vendim qarkullues nga Ekzekutivi. Burime pranë FSHF-së konfirmuan se spostimi me një javë i rinisjes së kampionatit, lidhet me disa faktorë që ndikojnë drejtë për drejtë në zhvillimin e garës.
Arsyeja e parë është ngjeshja e kalendarit në periudhën Nëntor-Dhjetor, me skuadrat që mes kampionatit dhe Kupës zbritën në fushë pothuajse një herë në tre ditë. Në këtë këndvështrim, shtyrja do ti shërbejë skuadrave që të rikuperojnë si duhet dhe të kenë më tepër kohë në dispozicion për tu përgatitur për pjesën e mbetur të edicionit.Një tjetër arsye që lidhet direkt me ngarkesën e javëve të fundit janë fushat. Zyrtarët e federatës besojnë se java më tepër pushim do ti ndihmojë klubet që të rikthejnë terrenet sportive në gjendje optimale, për të garantuar që mbyllja e sezonit do të jenë spektakolare.