Kategoria Superiore

Shoqata e Arbitrave: Të merren masa ndaj Shpëtim Duros!

Shoqata e Arbitrave të Shqipërisë, nëpërmjt një qëndrimi zyrtar ka reaguar ndaj akuzave të vazhdueshme të trajnerit të Flamurtarit Shpëtim Duro, në drejtim të gjyqtarëve të ndeshjes, duke u kërkuar komisioneve përkatëse në FSHF që të marrin masa për rastin në fjalë. Pretendohet se nga deklaratat e Duros është cënuar integriteti i anëtarëve të kësaj shoqate dhe për më tepër, kur personat e përmendur janë dy arbitra të FIFA-s.

“Është e disata herë, që trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, përdor një gjuhë dhe fjalor ofendues në adresë të arbitrave dhe kjo sjellje, duhet të ishte pjesë e komisioneve përkatëse. Ne kemi shpresuar në një reflektim personal të zotit Duro, por që nuk ka mbërritur, për më tepër është rënduar sulmi verbal i tij karshi arbitrave. Askush nuk mund t’i japë të drejtë vetes të ofendojë një zyrtar ndeshjeje (në rastin konkret, arbitrat), edhe në rastet kur këto gabojnë në vendimmarrjet e tyre në fushën e lojës. Është komisioni i vlerësimit, i cili bën vlerësimin e vendimeve të arbitrit, vendime të cilat në shumë raste edhe kur personi në fjalë i ka kontestuar, ato kanë qenë konform rregullores së lojës.

Shoqata e Arbitrave “BASHF” edhe një herë kërkon nga të gjithë aktorët e lojës së futbollit, që të ketë sa më shumë fair–play, jo vetëm në fushë ndërmjet lojtarëve, por edhe nga zyrtarët e ekipeve. Ata duhet të tregojnë një sens mirëkuptimi në adresë të vendimeve të arbitrave të cilët gjatë gjithë lojës mbajnë mbi vete tensionin e ndeshjes, presionin e lojtarëve, të spektatorëve dhe të gjithë atyre që ndjekin një ndeshje futbolli.

Për rastin në fjalë, shoqata kërkon me forcë nga komisionet përkatëse, të mbahet një qëndrim konform rregulloreve të disiplinës, sepse deklarata të tilla prishin jo vetëm imazhin e figurës së arbitrit, por krijojnë nëpër shkallët e stadiumeve një klimë jomiqësore, e cila krijon premisa për situata të papëlqyeshme për një ndeshje futbolli”, – përfundon reagimi i Shoqatës së Arbitrave Shqiptarë të Futbollit (BASHF).

To Top