Kategoria Superiore

Shifrat e frikshme të Skënderbeut kampion

Titulli më i lehtë apo më i vështiri? Kjo varet nga këndvështrimet, përsa i përket pjesës teknike, pa diskutim që Skënderbeu e dominoi këtë sezon duke triumfuar me meritë të plotë  3 javë para fundit, megjithatë ky edicion pati hije të errëta për korçarët kjo natyrisht për shkak të dënimit 10-vjeçar që UEFA aplikoi ndaj bardhekuqve, ndërsa 4 ditë më parë trajneri Daja i zhgënjyer nga disfata në Laç vendosi në diskutim të ardhmen e tij në stolin e kampionëve, gjithsesi për t’u rikthyer tek fusha e lojës, ky titull ishte një dëshmi e qartë e forcës absolute të një skuadre moderne në mentalitet dhe në mënyrën se si e interpreton futbollin.

Shifrat faktojnë gjithçka. Sulmi më i mirë i Superiores me 65 gola të realizuar dhe ne të njëjtën kohë mbrojtja më e fortë e kampionatit. 30 gola të pësuar, 2 më pak se Flamurtari dhe 5 më pak se Kukësi. Numri më i madh i fitoreve të konkretizuara, plot 22 dhe natyrisht kolona e humbjeve ka shifrën më të ulët, 5 herë është dorëzuar skuadra korçare, 3 disfata më shumë ka Kukësi i vendit të dytë. Si të mos mjaftonin numrat që dëshmojnë dominimin, ky ekip ka edhe golashënuesin më të mirë të sezonit deri më tani, Aly Sowe-n i cili me 19 gola të realizuar ndan për momentin vendin e parë me Gurin.

Një edicion i denjë tu vendosur në kornizë të artë. Skënderbeu rikthehet të jetë mbreti i futbollit shqiptar pas vetëm një sezoni dhe e bën në mënyrën më të mirë të mundshme, kampion në të gjitha aspektet e lojës së futbollit, një skenar më  të bukur nuk do e kishte shkruar as “ujku më i zjarrtë i deborës”.

To Top