Kategoria Superiore

Salihi: Ndihem fajtor për Vllazninë, do të falja të gjithë golat që të shpëtonte

Me 21 gola te Viener Nojshtad, Hamdi Salihi mbetet bomberi më i mirë shqiptar. Asnjë sulmues tjetër kuqezi nuk ka bërë më mirë se ai në kampionatin tonë apo në ligat europiane. Megjithatë, në një sezon të tillë fantastik, mes golave dhe ëndrrës drejt kthimit në elitën e futbollist austriak, 34-vjeçari e ka një peng. Ajo është Vllaznia, që e sheh veten në humnerën e rënies nga kategoria.

Hamdi Salihi

 “Do dhuroja gjithçka, që Vllaznia dhe qyteti të mos ishin në këtë situatë”.

Edicionin e kaluar, kur në finalen e titullit ndërmjet Skënderbeut dhe Kukësit grisi kartonin e kuq, Salihi e vendosi që e kishte mbyllur përfundimisht me futbollin shqiptar. Në rast të mrekullisë së shumëpritur në Shkodër dhe nëse ekipi e thërret për tu ringritur, Vllaznia është e vetmja që mund ta bëjë të ndryshojë mendim.

Hamdi Salihi

 “Nëse do të ishte vërtetë e domosdoshme do të jetë zgjedhja ime e parë dhe do të bëja gjithçka ta ndihmoja”.

Sulmuesi analizoi edhe ato që mund të jenë arsyet të cilat sollën këtë situatë në Shkodër, në prag të 100 vjetorit të klubit.

Hamdi Salihi

 “Nga sezoni në sezon, nga viti në vit nuk kam parë reagime për të mësuar nga gabimet.Të gjithë ishin në gjumë”.

Ky është sezoni i dytë dramatik për Hamdi Salihin, që fillimisht pa Tiranën të largohej nga elita, ndërsa tanimë po e përjeton të njëjtën situatë me ekipin e vendlindjes.

Hamdi Salihi

 “Padashur të bëj hipokritin, unë e kam përjetuar ndoshta më tepër të dyja situatat si të Tiranës dhe Vllaznisë, më tepër sesa njerëz që për momentin janë pranë klubeve. Të organizohet sa më shpejt për ta ngritur aty ku e meriton”.

To Top