Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Sa shumë dëshira nga skuadrat e elitës për Babagjyshin!

I dashur Babagjysh, është periudhë festash e urimesh, të gjithë presin një vit më të mbarë e po ashtu dhe futbolli. Pothuaj gjysmë kampionati është mbyllur në Superiore, ku klubet tanimë mendojnë për merkaton dhe objektivat për 2018.

Te Skënderbeu pa dyshim dëshira e parë është për të ruajtur ritmin e këtyre 16 javëve, gjithmonë në planin sportiv. Rikthimi te titulli kampion dhe përsëritja e aventurës europiane, këtë herë duke hyrë nga dera e Championsit, shumë më komode dhe fitimprurëse. Merkato me objektiv të deklaruar zyrtarisht një sulmues për t’i mundësuar Sowe te marrë pak më shumë frymë, në varësi të shitjeve të bujshme, pasi Gavazaj, Lilaj, Jashanica e Nimaga kanë oferta.

Te Flamurtari nuk ka qenë një vit i keq. Pa dyshim është në shenjën e Shpëtim Duros, trajnerit që siguroi një mbijetesë jashtëzakonisht të vështirë, ndërsa në këtë sezon ndërtoi një skuadër që bind dhe mund të synojë Europën. Natyrisht meritë dhe e menaxhimit të administratorit Idrizi, që këto muajt e fundit ka evituar problemet administrative. Gjithsesi, e mira nuk ka fund, me përforcimet në sulm, në Vlorë ndoshta urojnë për ca më shumë gola e, ku i dihet, ndoshta dhe më pak gabime arbitrale kundër dhe një ecuri për të rivalizuar Skënderbeun për titullin kampion.

Në vend të tretë Laçi dhe këtu dëshira e kuptueshme është që efekti “Mezani” të vazhdojë. Skuadër që bind dhe fiton me lojtarë të rinj, menaxhim i kujdesëshëm dhe i goditur nga presidenca. Në qytetin e vogël ëndërrojnë një rikthim në Europë dhe, për t’ia dalë, ky vit i ri duhet të ecë në gjurmët e pjesës së dytë të 2017.

Te Kukësi Babagjyshi duhet të sjellë pikë së pari trajnerin, dikë të aftë të kthejë kampionët në “binarët” e duhur. Kujtime të ëmbla dhe të hidhura nga Viti 2017, me fitimin e titullit historik dhe pastaj mungesën e rezultateve në kampionatin aktual. Ambiciet e Gjicit, gjithsesi, vështirë se ndryshojnë dhe në kampin verilindor urojnë që Viti 2018 të risjellë sërish Kukësin e madh e të pamposhtur.

Sa shumë urime për Partizanin! 2017 është një tjetër vit për t’u harruar. Në dritën e këtij sezoni pa dyshim që dëshira e parë është që të mos bëhen më gjithë ato gabime në merkato, aty ku të kuqtë do të ndërhyjnë fort për të plotësuar organikën e cunguar. Një fillim i ri me kuptimin e plotë të fjalës, qoftë ky vit ai i duhuri!

Te Kamza viti që lëmë pas është ai i mrekullive, ngjitja në Kategorinë Superiore dhe pastaj një përrallë e bukur, me skuadrën e Ndreut që i surprizon të gjithë. Një periudhë rënieje në dhjetor, por që mund t’i ndodhë kujtdo. Ëndrrat mund të jenë edhe më të mëdha, por te Kamza gjithsesi urimi është për vazhdimësinë, dëshira për ta bërë këtë skuadër një realitet konstant të Kategorisë Superiore.

Ndryshe nga Kamza, Luftëtari më në fund ka rigjetur buzëqeshjen pikërisht atëherë kur duhej. Në Gjirokastër kryqëzohen rrugë të rëndësishme të merkatos, Bregu apo Abazaj janë temë dite, do të qëndrojnë apo jo dhe sa para do të sjellin nëse ikin. Gjithsesi, në aspektin sportive, urimi është për të përsëritur një sezon si ai i kaluari, për të ruajtur traditën e rezultateve të mira dhe lojës së bukur.

Me afrimin në fundin e tabelës ndryshojnë dhe urimet. Te Teuta duhet ndërtuar gjithçka nga e para. Një sezon i nisur me pretendime të mëdha ka marrë rrokapjekthi dhe duhet ndryshuar menjëherë kurs. Këtë vit qoftë një merkato më e mbarë, një ecuri ndryshe dhe rikthimi i qetësisë në një skuadër që i jep historikisht shumë kuptim Superiores.

Zot shpëtoje Vllazninë! Pa dyshim është ky urimi që shpreh çdo tifoz në Shkodër, aty ku prej vitesh një skuadër me emër e traditë përpëlitet në ethet e mbijetesës. Një urim që pazgjithshmërisht lidhet dhe me atë për të gjetur më në fund sërish një president, me privatizimin e klubit dhe kthimin e Vllaznisë aty ku i takon.

Te Lushnja urojnë më shumë për një mrekulli. Ndodhin rrallë në jetë dhe në futboll, por gjithsesi të gjithë kanë të drejtë të ëndërrojnë. Mbijetesa duket një sforco në kufijtë e titanikes dhe një administrim më i mirë e ca para më shumë ndoshta nuk do të ishin keq. Në Superiore nuk mund të jetohet me investimet e së parës.

 

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...