Kategoria Superiore

Ringritja e Teutës, durrsakët të avantazhuar për mbijetesën

6 gola në 4 ditë për të shpëtuar një sezon. Teuta kreu një hap vendimtar drejt mbijetesës duke iu larguar flakëve të Kategorisë së Parë. Diferenca me Vllazninë është vetëm 2 pikë, por kalendari i buzqesh durrsakëve.  Në fundjavë vjen sfida me Skënderbeun që e ka siguruar matematikisht titullin dhe rrjedhimisht nuk do të ketë motivim maksimal, më pas Lushnja e dorëzuar e në fund transferta e Laçit, me kurbinasit që do të jenë të fokusuar tek finalja e Kupës.

Triumfi kundër Kukësit ishte jetik për Djemtë e Detit. Paraqitjet e Teutës në këtë periudhë kanë qënë të denja për një skuadër që lufton për Europën, 5 fitore , 2 barazime dhe vetëm një humbje.

Në 2 ndeshjet e fundit Begejës i ka ardhur në ndihmë edhe një goleador i improvizuar si Ante Hrkac. Mesfushori me tipare mbrojtëse ka veshur petkun e liderit duke gjetur rrugën e rrjetës si ndaj Partizanit po ashtu edhe kundër Kukësit. Megjithatë skuadra durrsake po funksionon në mënyrë thuajse të përsosur në grup dhe jo thjesht në aspketin individual. Hila e Cyrbja kanë gjetur formën optimale në momentin më të rëndësishëm të sezonit, Moçka e ka ndihmuar skuadrën në kuadrat por edhe në realizimin e golave, pra “timoni i anijes” po xhiron në kahun e duhur tek “Djemtë e Detit”. Ende nuk ka përfunduar beteja e ashpër për mbijetetsë, por sot shanset kreditet e Teutës për të qëndruar mes elitarëve janë shumë më të larta se të Vllaznisë e Kamzës, vetëm pak javë më parë situata ishte krejt tjetër.

To Top