Formula 1

Rikthehet Alfa Romeo, nga Viti 2018 bashkëpunim me Sauberin

Pas 32 vjetësh shkëputje rikthehet në Formula 1 Alfa Romeo, pikërisht marka e famshme që fitoi dy titujt e parë përsa i përket kampionatit të pilotëve në këtë kompeticion. Firma prodhuese tepër e njohur italiane do të kthehet kështu në Circus falë një marrëveshjeje disavjeçare me ekipin zvicëran Sauber, që do të ketë shtëpinë milaneze si sponsor kryesor, por gjithashtu do të furnizohet me motorë pikërisht nga Alfa Romeo. Sauber konfirmoi arritjen e marrëveshjes teknike me markën e famshme që ka në stemë gjarprin, simbolin e qytetit të Milanos, që, siç dihet, është në pronësi të Fiat-it, bashkëpunim që do të fillojë që sezonin e ardhshëm. Kështu motorët Ferrari të ekipit Sauber nga viti 2018 do të bëhen Alfa Romeo, e për rrjedhojë edhe emri i ardhshëm i skuadrës helvete do të jetë Alfa Romeo Sauber F1 Team. Partneriteti parashikon bashkëpunimin strategjik, teknologjik, si dhe në planin e biznesit ndërmjet ekipit Sauber dhe Alfa Romeos, marrëveshje që do të mundësojë gjithashtu edhe shkëmbimin e të dhënave të rëndësishme inxhinierike dhe teknike, me qëllim krijimin e mundësive për të dy grupet si brenda ashtu edhe jashtë Formulës 1. Drejtuesi i FIAT-it e njëkohësisht edhe presidenti i Ferrarit, Sergio Marchionne, që ka insistuar vazhdimisht për rikthimin e Alfa Romeos në Formula 1, e konsideroi marrëveshjen e arritur si një hap shumë të rëndësishëm në ristrukturimin e kësaj marke historike, që ka kontribuar pa dyshim në historinë e këtij sporti, por që pas një mungese prej më shumë se tre dekadash do të bashkohet më në fund edhe me shtëpitë e tjera prodhuese, që janë të pranishme në këtë aktivitet, duke përfituar kështu shumë edhe nga ndarja e të dhënave teknologjike dhe strategjike me një partner me një eksperiencë të padiskutueshme siç është Sauberi. Pra, do të jetë një rast i shkëlqyer gjithashtu edhe për vetë inxhinierët e Alfa Romeos, që i kanë treguar qartë aftësitë e tyre edhe në modelet më të fundit Giulia dhe Stelvio për të vënë eksperiencën e tyre në dispozicion të ekipit helvet, ndërkaq tifozët e kësaj marke legjendare do të kenë rastin për t’u përfaqësuar me makinën e tyre të zemrës në Formula 1. Përsa u përket pilotëve, si zgjedhje e parë mund të jetë 20-vjeçari nga Montecarlo Charles Leclerc, kampioni më i ri i Formula 2, për më tepër i dalë nga Akademia e Ferrarit, ndërsa në krah të tij pritet të jetë një nga dy pilotët e tjerë, 23-vjecari italian Antonio Giovinazzi ose piloti aktual i ekipit Sauberit, suedezi Marcus Ericsson. Alfa Romeo fitoi dy titujt e parë për pilotë në këtë kompeticion me të famshmit Giuseppe Farina dhe Juan Manuel Fangio, ndërsa pjesëmarrja e fundit zyrtare e skuadrës milaneze është regjistruar në vitin 1985, kur pilotë ishin Ricardo Patrese dhe Eddie Cheever, ndërkaq fitorja e fundit daton në vitin 1978, kur Niki Lauda triumfoi me ekipin Brabham në Cmimin e Madh të Italisë, ndërsa pole position-i i fundit është regjistruar në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara në Long Beach në vitin 1982 me Andrea De Cesaris.

To Top