La Liga

Reali luan të fundit në Bernabeu, spikat derbi i Andaluzisë, Sevilla për “hakmarrje” ndaj Betis

Vetëm tre ditë pas disfatës në Ramon Sanchez Pizjuan me Sevillan, Reali i Madridit zbret sërish në fushë, këtë herë në Santiago Bernabeu, ku ekipi i Zinedine Zidane do të masë forcat me Celta Vigon. Kjo periudhë natyrisht është tepër e rëndësishme si për trajnerin francez ashtu edhe për vetë futbollistët merengues, që prej kohësh i kanë përqëndruar që të gjitha forcat për në finalen e madhe të Champions-it, që do të mbahet në Kiev përballë Liverpoolit të Jurgen Klopp. Pa ndonjë sforcim të madh “Los Blancos” bënë një figurë të shkëlqyer kundrejt skuadrës kampione, Barcelonës, për më tepër brenda në Camp Nou, ku gjyqtari Alejandro Hernandez me vendimet e tij bëri çmos që lojtarët e Realit të mos të prishnin kolonën zero të humbjeve të ekipit blaugrana. Në mesjavë në Andaluzi, Zizou i besoi kryesisht zgjedhjeve të dyta, megjithatë edhe në orën 20:45 në kryeqytet ndaj skuadrës galiciane pritet pak a shumë që të ndodhë e njëjta gjë, pasi trajneri francez nuk ka asnjë dëshirë për të rrezikuar lojtarët kryesorë të ekipit, aq më tepër në një takim që nuk pritet të ndryshojë aspak pozitat në klasifikim. Mbetet për t’u parë formacioni, sidoqoftë ndeshja përbën një rast të shkëlqyer për lojtarët e tjerë të Realit, pasi skuadra e Celta-s udhëton drejt kryeqytetit e qetë dhe pa kurrfarë presioni, për më tepër Reali ndaj ekipit galician ka fituar vetëm 1 nga 4 përballjet e fundit dhe sikur të mos mjaftonte eliminimi i vjetshëm në Kupën e Mbretit në fazën e parë Celta arriti t’i frenojë “Los Blancos” në një barazim 2-2.

Po në Primera Division në orën 18:30 do të zhvillohet edhe derbi i Madridit Getafe – Atletico. Takimi do të luhet në Coliseum Alfonso Perez, ku Getafe mbetet gjithmonë një kundërshtar tepër i vështirë. Falë 4 fitoreve në 5 ndeshjet e fundit vendasit tani synojnë zonën europiane, prandaj “Los Azulones” kanë një rast të shkëlqyer për të përfituar ndaj skuadrës së Diego Simeones, që duket e përqëndruar te finalja e Europa League-s, që do të mbahet pas vetëm katër ditëve në Lyon përballë Olimpikut të Marsejës. Sikur të mos mjaftonin 3 pikët e avantazhit kundrejt Realit, çfarëdo që të ndodhë në këtë duel Atletikos falë bilancit të ndeshjeve direkte pikërisht me Realin do t’i mjaftonte thjesht fitorja me Eibarin në Wanda Metropolitano javën e fundit, për të salduar vendin e dytë në kampionatin spanjoll.

Në Primera Dvision interes të veçantë ngjall gjithashtu edhe derbi Real Betis – Sevilla. Edicionin e kaluar “bardhekuqtë” e mbyllën sezonin në zonën Champions me gati dyfishin e pikëve dhe plot 33 pikë më shumë sesa “bardhjeshilët”, gjithsesi këtë herë është Betisi që numëron 5 pikë më tepër në klasifikim. Nëse ekipi i Quique Setien e ka të sigurtë Europën, skuadra e Joaquin Caparros duhet ende të luftojë fort, sepse edhe pas fitores 3-2 me Realin Sevilja vazhdon të ketë vetëm 2 pikë avantazh kundrejt Getafes, që po bëhet gjithmonë e më kërcënuese në vendin e tetë. Sidoqoftë bëhet fjalë për një derbi sa të zjarrtë aq edhe të ashpër, që konsiderohet njëkohësisht edhe si një ndër derbet më të dhunshëm në futbollin botëror, i denjë për t’u krahasuar për nga brutaliteti me derbin Boca – River në Argjentinë, madje edhe në janar katër muaj më parë ndonëse u luajt në Ramon Sanchez Pizjuan ky takim u fitua nga Real Betis 5-3, ndeshje ku gjyqtari kryesor u shtrëngua për ta valëvitur kartonin e verdhë plot 9 herë.

To Top