Plas sërish te Partizani, ndërsa çështja e fundit dhe më e nxehta mban emrin e Lorenc Trashit. Mesfushori 25-vjeçar është përplasur me trajnerin Sulejman Starova gjatë miqësores surprizë që të kuqtë zhvilluan me skuadrën e Berliner Ak në Turqi.
Debati ka lindur pas zëvendësimit të Trashit gjatë ndeshjes testuese, i cili nuk është pritur aspak mirë nga futbollisti. Mes Trashit dhe Starovës ka pasur një debat me tone të larta, me trajnerin që e ka përjashtuar mesfushorin nga skuadra.
Kjo nuk është hera e parë që mes Starovës dhe Trashit ka shkëndija, pasi edhe në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar me Skënderbeun, mesfushori shfaqi haptazi pakënaqësinë për zëvendësimin. Por nëse ai mund të konsiderohet një episod normal, debati i ashpër që ka ndodhur së fundmi mes tyre kompromenton rëndë raportin mes Starovës dhe Trashit, e ardhmja e të cilit te Partizani vihet tanimë në pikëpyetje dhe nuk përjashtohet largimi i tij nga skuadra.
Vlen të kujtohet se Trashi është krye-golshënuesi sezonal në skuadrën e kuqe ku këtë edicion ka bërë xholin duke luajtur sa në njërin krah në tjetrin. Partizani nuk po gjen dot qetësi, pasi çështja e Trashit është vetëm më e freskëta e një kalvari të gjatë problemesh, duke nisur që nga dështimi i projektit të verës, rezultatet zhgënjyese, fshesa e lojtarëve të marrë nga Moxhi e deri te largimi i Sukajt e përjashtimi i disa futbollistëve të konsideruar të gardës së vjetër, si Vila, Malota e Krasniqi.
Sa për kronikën e miqësores, përfundoi 2-2 me gola të të rinjve Belica dhe Mala , barazimi i parë në testet turke për të kuqtë megjithëse vlen të kujtohet se kundërshtari i përket kategorisë së katërt të futbollit gjerman.