Futboll

Pescara, Memushaj prezanton fanellën e re

Pescara zgjedh Ledian Memushajn për të prezantuar fanellën e dytë për sezonin futbollistik 2017-2018. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka pozuar me fanellën që do të mbajë veshur klubi abrucez në ndeshjet në transfertë gjatë sezonit të ri. Një sinjal mëse i qartë ky se pavarsisht zërave të merkatos që e shohin Ledian Memushajn larg Pescarës, gjasat janë që 30-vjecari të vazhdojë aventurën e tij tek skuadra e drejtuar nga Zdenek Zeman.

Për Memushajn kanë shfaqur interes të madh dy skuadra të Serisë A, si Bologna e Spal, ndërkohë që ish ndihmësi i Gianni De Biasit në stolin e kombëtares kuqezi, Paolo Tramezzani kërkon ta ketë në skuadrën e tij, me Sionin që po bën cmos për ta transferuar Memushaj në Zvicër. Por Pescara kërkon minimalisht 2 milionë Euro për ta lënë të lirë kapitenin e saj, madje trajneri Zeman nuk kërkon të privohet nga mesfushori as për një shifër të tillë, pasi sipas teknikut cek ringritja e Pescarës do të fillojë pikërisht nga futbollisti shqiptar. Zeman beson se Memushaj me eksperiencën që zotëron do të jetë lideri i ekipit në sezonin 2017-2018 të Serisë B, ku  objektivi i vetëm i Pescarës do të jetë rikthimi në elitën e futbollit italian.

To Top