Tenis

Pas 4 viteve Venus “thyen” Serenën në duelin brenda familjes

Sfida e shumëpritur e motrave Williams, e luajtur gjatë natës shqiptare në çimenton e Indian Wells, nxori fituese më të madhen në moshë, Venusin 37-vjeçare që u imponua ndaj Serenës një vit më të re me rezultatin 6-3, 6-4 në 1 orë e 28 minuta lojë përballë 13 mijë spektatorëve. Ishte sfida numër 29 e përballjes mes dy motrave amerikane, që së bashku kanë koleksionuar 30 tituj Slam, (23 për Serenën dhe 7 për Venus), e vlefshme për raundin e tretë të turneut kalifornian. Para kësaj ndeshjeje Serena kryesonte bilancin 17-11 dhe ishte imponuar me sukses në 3 duelet e fundit në familje, të gjitha finale, përfshirë këtu edhe sfidën për titullin e Australian Open vitin e kaluar, kur më e vogla e motrave Williams ishte në pritje të një fëmije. Nga ana e saj Venus, theu një periudhë “agjërimi” pa fitore ndaj motrës që zgjaste që nga gjysmëfinalet e Montreal në vitin 2014. Ndeshja e fundit pa gjithmonë Venusin të kishte iniciativën në krahun e saj duke e detyruar Serenën të bënte plot 41 gabime. Në setin e parë, Venus bëri break në game-in e 6-të duke e mbyllur në të nëntin me dy ace radhazi. Në të dytin ishte sërish motra e madhe që shpërtheu në 3-0 dhe pastaj në 5-2. Serena provoi të reagonte duke ngushtuar distancën deri në 5-4, por më pas dy gabime e penalizuan duke favorizuar suksesin e Venus.

To Top