Kombetare

Panucci: Guri i ka bërë vend vetes, Cassetti përmirëson mbrojtjen e Shqipërisë

Përfaqësuesja shqiptare ka nisur një rrugëtim të ri nën drejtimin e trajnerit Christian Panucci. Synimi është ndryshimi i mënyrës së lojës me qëllim që kuqezinjtë të mos fokusohen vetëm në aspektin difensiv. Kombëtarja do të grumbullohet për një periudhe stërvitore 10-ditore në Zvicër në fund të këtij muaji, aty ku do të zhvillohet edhe miqësorja me Ukrainën. Tekniku italian thekson se po punohet për të plotësuar grupin, në një kohë që humbja me Norvegjinë e ka bërë të kuptojë se ka diçka që nuk shkon dhe duhet ndryshuar

Fizikisht lojtarët nuk do të vijnë në maksimumin e mundshëm, megjithatë kombëtarja është kombëtare dhe nuk ka shumë takime miqësore, kështu që në 10 ditët e grumbullimit duhet të punojmë me seriozitet për të vijuar me përgatitjet në kuadër të Ligës së Kombeve dhe eliminatoreve të Europianit. I kuptoj futbollistët që kanë zhvilluar një sezon të lodhshëm, duke dhënë gjithçka, megjithatë duhet të japin edhe diçka për kombëtaren në mbyllje të sezonit, sepse me skuadrën përfaqësuese nuk bëhet shaka. Grupin po e formojnë. Pas humbjes me Norvegjinë e kuptova që diçka duhet të ndryshojmë, por me fokusin kryesor tek mënyra e lojës. Në Zvicër do të provojmë në disa aspekte të rëndësishme.

Një nga temat më të nxehta në javët e fundit ka qenë përfshirja e Sindrit Gurit në Kombëtare. Panucci i hap dyert plotësisht goleadorit shkodran, duke e thënë hapur se sulmuesi ia ka bërë vendin vetes për të qenë pjesë e kuqezinjve.

“Guri ia ka bërë vetë vendin vetes në kombëtare nëpërmjet paraqitjeve dhe golave që po shënon. Duhet të vazhdoj të punoj  dhe shpresojmë që te jetë pjesë e grupit, por gjithçka varet nga ai. Unë ftoj gjithnjë më të mirët.”

Marco Cassetti është afrimi më i fundit në stafin teknik në rolin  e ndihmëstrajnerit. Tekniku i përfaqësueses sonë vlerëson aftësitë e ish-shokut të skuadrës, i cili me njohuritë dhe përvojën që ka mund ta përmirësojë shumë repartin e mbrojtjes.

“Besoj se ka mbi 300 ndeshje në Serinë A. Kemi qenë shokë skuadre te Roma. Kam një marrëdhënie mjaft të mirë me të, mund të më ndihmojë sidomos me mbrojtësit dhe puna e tij do të ketë shumë vlera  në përmirësimin e repartit difensiv.”

Panucci organizoi një mbledhje me trajnerët e kombëtareve të moshave. Tekniku 45-vjeçar dhe federata kanë një objektiv, rritja e sa më shumë talenteve që mund t’i shërbejnë Shqipërisë në të ardhmen.

“Sapo zhvilluam një mbledhje me të gjithë trajnerët e kombëtareve të moshave. Federata Shqiptare e Futbollit po investon për të rritur sa më shumë talente nga Shqipëria. Shpresojmë që të lindin sa më shumë lojtarë me cilësi, që në të ardhmen t’i shërbejnë përfaqësueses. E rëndësishme është që puna dhe bashkëpunimi me klubet ka nisur.”

To Top