Serie B

Palermo “bie” në Venezia, Basha fiton derbin kuqezi me Alijin

Venezia u jep një goditje të rëndë objektivave të Palermos për të sigurur ngjitjen direkt në Serinë A si një ndër dy vendet e para të Serisë B, duke e mposhtur skuadrën sicialiane me rezultatin e thellë 3-0 në sfidën hapëse të javës së 38-të. Vendësit i dhanë drejtimin e duhur sfidës që në pjesën e pare, kur shënuan dy gola të shpejtë në minutat 11’ dhe 16’ me autorë Suciu dhe Stulac, ndërsa në pjesën e dytë Andelkovic vulosi rezultatin përfundimtar 3-0. Palermo, pas kësaj humbjeje, mbetet në vendin e tretë me 63 pikë, pozicion që mund ta humbasë nëse Frosinone fiton në fushën e Cesenës. Venezia shkon në kuotën e 60 pikëve dhe ka shpresa për t’u renditur e dyta në fund të sezonit. Seria B kryesohet nga Empoli, ku luan Frederik Veseli, skuadër e cila pret ta sigurojë matematikisht ngjitjen në Serinë A në takimin me Novarën.

Gjen fitoren e parë pas katër barazimeve Bari, që iu imponua me rezultatin e ngushtë 1-0 Virtus Entellas, me gol të sllovenit Balkovec. Migjen Basha arrin të fitoi derbin kuqezi me Naser Alijin dhe Asdrell Llullakun, me sulmuesin e Entellas që qëndroi gjatë gjithë kohës në stol. Bari me këtë sukses qëndron në vendin e gjashtë që i siguron pjesëmarrjen në play off.

 

To Top