Kategoria Superiore

Pacult: Keqardhje për humbjen, dhamë maksimumin

Peter Pacult provoi për herë të parë shijen e humbjes me Kukësin dhe pikërisht në “Zeqir Ymeri”, ku nuk ka arritur të marrë asnjë fitore. Trajneri austriak vlerësoi se skuadra dha maksimumin dhe e interpretoi mirë ndeshjen, por u ndëshkua nga vetëm një rast i kundërshtarit

“Më vjen keq që humbëm në këtë mënyrë, pasi ishim përgatitur të fitonim sot, por u ndëshkuam nga një rast i vetëm i kundërshtarit. Kemi punuar shumë gjatë javës, për t’u rikthyer te fitorja dhe mendoj se bëmë mirë në fushën e lojës, por kundërshtari u mbrojt me të gjitha forcat dhe nuk na la shumë hapësira. Mund të bënim edhe më mirë, por jam i bindur që sot kemi humbur pa meritë”, u shpreh Pacult

Mbrojtja e titullit duket mision i pamundur me Skënderbeun që ka 14 pikë më tepër, por tani Kukësi duhet të djersijë shumë edhe për të siguruar pjesëmarrjen në Europë.

“Që në fillim e kam thënë se Skënderbeu është shumë i shkëputur dhe do të jetë e vështirë t’i rivalizojmë. Unë kam premtuar vetëm punë për t’u përmirësuar nga ndeshja në ndeshje, por natyrisht që e kam pasur të qartë vështirësinë e garës me Skënderbeun. E kemi ditur që edhe gara për Europën do të jetë e vështirë, por do të synojmë fitoret, për ta siguruar sa më parë pjesëmarrjen në këto kompeticione”, tha trajneri austriak i Kukësit

To Top