Kategoria Superiore

Pacult: Guri ka potencial për më shumë, me arbitrimin nuk merrem

Kukësi vijon ecurinë e rezultateve pozitive radhazi dhe tashmë duket se i ka konsoliduar disi pozitat në vendin e dytë të renditjes. Skuadra e verilindore do të udhëtojë drejt Gjirokastrës, ku do të përballet me Luftëtarin vendas, në një sfidë që pritet të jetë mjaft interesante, pasi të dy skuadrat luajnë një futboll sulmues dhe të hapur. Trajneri austriak i Kukësi, në konferencën e zakonshme për shtyp ka folur për gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për takimin e nesërm.

Në dy fazat e para keni marre një humbje dhe një fitore me Luftëtarin. Si e keni përgatitur këtë transfertë?
Pacult: Luftëtari ka një seri rezultatesh të mira deri tani dhe luan futboll shumë të mirë. Është një ekip shumë i rrezikshëm në sulm dhe nesër duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta fitojmë ndeshjen.

Sa e njihni Luftëtarin dhe a ju mjafton një barazim atje?
Pacult: E njoh Luftëtarin, ndeshjen me Partizanin e kam parë dy herë. Është një ekip shumë i organizuar, që tenton të luajë futboll ofensiv. Duhet t’i lëmë shumë pak hapësira dhe të luajmë ashtu siç duam ne. Nuk duhet të harrojmë që edhe ne kemi lojën tonë dhe çdo në ndeshje futemi për fitore. po të shohim renditjen janë vetëm 3 pikë nga vendi i 3 tretë deri në vendin e shtatë

Sa ju shqetëson brishtësia në mbrojtje, aq më shumë ndaj Luftëtarit të rrezikshëm përpara?
Pacult: Është një gjë çdo trajner e dëshiron, të mos pësojë. Atë që kemi bërë mirë në këto javë ka qenë se kemi shënuar më shumë se kundërshtari. Kjo është ajo që ka rëndësi në futboll.

Rikthimi i Shametit dhe i Allës, ju ka plotësuar në mbrojtje?
Pacult: Sa i përket Shametit dhe Allës, më vjen mirë që u rikthyen në ekip. Alla nuk është në 100% të formës, por ka rëndësi që u rikthye. Për ne është e rëndësishme që ata lojtarë, të cilët dolën nga pozicioni i tyre, për shkak të dëmtimeve, e kanë bërë mirë punën e tyre, si Hoxha, ashtu edhe Musolli në mbrojtje.

Çfarë mendimi keni për gjykimin në ndeshjen me Teutën? Klubi e shpalli Allën “non grata”…
Pacult: Nuk dua të merrem me gjërat që kanë kaluar. Shoh përpara dhe nuk dua të bëj ndonjë koment për arbitrin.

Grupi i kompletuar për ndeshjen e radhës?
Pacult: Nuk është se jemi të gjithë, pasi Bakaj u largua dhe në pozicionin e sulmuesit të dytë nuk është se kemi shumë opsione. Duke ditur që Balde është larguar për në vendlindje për disa ditë, nuk kam alternativa në sulm.

Keni përmbysur rezultatin në dy ndeshje, a i druheni sulmit të kundërshtarit dhe faktit që mund të pësoni sërish të parët?
Pacult: Është e saktë, kemi probleme në mbrojtje. Me shumë raste të vogla po pësojmë gola. Po punojmë ta përmirësojmë këtë pjesë. Kur i analizojmë ndeshjet po shoh gjëra që nuk më pëlqejnë. Nuk shoh agresivitetin e duhur te mbrojtësit tonë. Po bëjmë çmos që të përmirësohemi.

Kush është rivali më i fortë për vendin e dytë?
Pacult: Të gjithë janë të rrezikshëm, deri në vendin e shtatë janë vetëm tre pikë diferencë mes këtyre ekipeve. Të gjitha do luajnë kundër njëra-tjetrës. Është me rëndësi që të marrim maksimumin e pikëve. Mendoj se duke parë faktin që kemi qenë në vendin e katërt me tre pikë më pak, kurse tani jemi gjashtë pikë me vendin e tretë, do të thotë se kemi bërë disa gjëra të mira. Duhet të vazhdojmë kështu, sepse po bëmë një hap më pak të gjithë e dimë që kthehemi mbrapa.

Guri ka pasur një rritje. Kjo ka ardhur prej aftësive të lojtarit, apo prej faktit që trajneri e ka vendosur në kushtet e duhura, pasi keni luajtur vetë si sulmues?
Pacult: Guri vetvetiu po punon shumë dhe po ndihmon ekipin dhe ne. Ato që i ka bërë, i ka arritur vetë. Normale kam ndihmuar edhe unë, i ndërrova mentalitetin që ka pasur. Kam dëgjuar se vonohej nëpër stërvitje, nuk ka qenë maksimalisht i disiplinuar. Edhe një gjë, kam biseduar shumë me të, por duke parë se ka potencial, mund të bëjë më shumë. Ende nuk është aty ku e shoh unë. Është me rëndësi për të, pasi ka hapësira dhe merr shumë përsipër. Fizikisht është shumë mirë dhe po shprehet.

A mendoni se është gati për Kombëtaren?
Pacult: Sa i përket Kombëtares, unë nuk përzgjedh, por është në një formë shumë të mirë. Normal ndikon konkurrenca që ka në Kombëtare.

To Top