I rëndësishëm ishte kualifikimi. I këtij mendimi ishte trajneri i Kukësit, autriaku Peter Pacult në përfundim të sfidës së kthimit ndaj Tiranës në çerekfinalet e Kupës, takim të cilin skuadra e fitoi me rezultatin 1-0 duke avancuar më tej me rezultat të përgjitshëhm 2-1.
“ Jemi shumë të kënaqur që kemi eliminuar Tiranën pasi bëhet fjalë për një skuadër shumë cilësore. E dinim që nëse do të shënonim golin e avantazhit në minutat e para, sfida do të bëhej më e vështirë për ta. Ne pjesën e dytë u përpoqëm të shënonim dhe golin e dytë por nuk arritëm dot megjithatë jam i kënaqur për kualifikimin”.
Pacult në intervistën e tij për emisionin Gol pas Goli në Supersport, shpjegoi edhe zëvendësimin e Cale me sulmuesin Balde.
“ Vendosa të nxirrja nga fusha Calen pikërisht për të aktivizuar lojtarin Balde për t’i dhënë disa minuta atij për të luajtur. Duke patur parasysh që Cale nuk ishte në ditën e tij më të mirë hodha në fushë Balden dhe spostova disi Gurin në mënyrë që në fushë të kishim dy sulmues dhe të tentonim të shënonim golin e dytë”.