Tenis

Operohet Djokovic, ende i paqartë rikthimi në fushë

Novak Djokovic ndalet përsëri. Ish-numri 1 i botës iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që do të vazhdojë ta mbajë larg fushave të lojës. 30-vjeçari serb u operua në bërrylin e djathtë, në një klinikë në Zvicër pranë qytetit të Bazelit. Pas Wimbledonit Nole qëndroi për plot pesë muaj larg tenisit, për t’u rikthyer pikërisht në Slemin e parë të vitit, në Australian Open, ku pasi mundi me radhë kundërshtarë të tillë si Donald Young, Gael Monfils e Albert Ramos Vinolas, Djokovic u eliminua në turin e katërt në mënyrë surprizë nga 21-vjecari koreano-jugor Hyeon Chung, që renditej në pozicionin e 58 në klasifikimin botëror. Pavarësisht shkëputjes së konsiderueshme, periudhës së gjatë të pushimeve si dhe fazës së rehabilitimit në Melbourne Park Novak Djokovic ndjeu sërish dhimbje në bërrylin e djathtë, problem ky që e shtrëngoi 6 herë fituesin e Australian Open për t’u operuar pa humbur kohë. Në adresën e tij në rrjetet sociale Djokovic konfirmoi ndërhyrjen kirurgjikale për të shmangur dëmtimin në bërryl dhe fituesi i 12 titujve Slam në karrierë shpjegoi se preferoi të bëjë një zgjedhje të tillë, ndonëse miqtë i sugjeruan dhe i dhanë këshilla për të ndjekur rrugë të tjera alternative. Nole pranoi se nuk ishte aspak e lehtë për të për të vendosur, por sidoqoftë tenisti serb shpjegoi se pavarësisht shkëputjes së gjatë dhe shpresës së tij për t’u rikthyer plotësisht i shëruar, vazhdonte të ndjente dhimbje në bërrylin e djathtë. Djokovic shtoi se i kishin munguar vërtet shumë ndeshjet, prandaj edhe provoi për të luajtur në Australian Open, gjithsesi në fund numri 13 i renditjes aktuale ATP pranoi se tani ndihet mirë dhe do të bëj çmos për t’u riaftësuar plotësisht, në mënyrë që të kthehet për të qenë kompetitiv njësoj si më parë, sidoqoftë vlen të theksohet fakti se si Nole ashtu edhe stafi i tij nuk dhanë një afat të saktë në lidhje me kohën e rikthimit në fushat e lojës.

To Top