Serie A

Nuk ka revolucion para Bolognës, Spalletti u beson të njëjtëve

Ndonëse Interi nuk fiton prej më shumë se dy muajsh, Luciano Spalletti nuk ka ndërmend të ndryshojë. Në sfidën e fundit ndaj Crotones, por edhe në të tjerat paraardhëse, disa prej titullarëve kanë zhgënjyer dhe janë kontestuar nga publiku zikaltër, por duket se trajneri i Interit nuk ka të njëjtin mendim.

Në prag të sfidës me Bolognën në ‘San Siro’, e planifikuar për t’u luajtur të dielën në orën 15:00, Spalletti ka propozuar ndryshime shumë të vogla në formacion. Kështu, titullar pritet të rikthehet portugezi Joao Cancelo, që u la jashtë në mënyrë të çuditshme në sfidën me Crotonen, por edhe kapiteni Icardi, që la pas dëmtimin.

Në stol duket se do të ulet Dalbert dhe sulmuesi italo-brazilian, Eder, ndërsa Candreva dhe Perisiç priten të zbresin në fushë që nga fillimi. I vetmi dyshim i Spallettit duket se është aktivizimi i Rafinhës në vend të Brozoviçit, që në takimin e fundit nuk bindi dhe për më tepër, kontestoi zëvendësimin.

To Top