Basketboll

NBA, Warriors surprizohen nga Clippers, fitojnë Rockets, Westbrook nuk u mjafton Thunder

Houston Rockets fitoi 121 – 112 ndaj Portland Trail Blazers, duke siguruar suksesin e 29-të në sezonin e rregullt. Në “Toyota Center” skenën e rrëmbeu Chris Paul me 37 pikë, 11 asist dhe 7 rikuperime, ndërsa Eric Gordon shtoi edhe 30 pikë të tjetër për Rockets, që pasi krijuan një diferencën prej 10 pikësh në fund të pjesës së parë, në dy periodat e fundit u mjaftuan me ruajtjen e avantazhit. Edhe pas kësaj fitoreje Houstoni mbetet në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit pas Golden State.

Kampionët në fuqi të NBA u surprizuan në ndeshjet e fundit të mbrëmjes në “Oracle Arena” nga Los Angeles Clippers me rezultatin 106 – 125. Perioda e parë ishte shumë emocionuese me kosha të shumtë të realizuar nga njëri krah në tjetrin. Warriors shkuan në avantazh prej 4 pikësh në pushimin mes pjesëve falë një Kevin Durant në superformë Gjithsesi, në periodën e tretë diçka u prish në skemat e Stephen Curry-t me shokë. Ngjitet në katedër i papërmbajtshmi Lou Williams, me kalifornianët që realizojnë një përmbysje të madhe ndaj kryesuesve të Perëndimit, duke marrë fitoren e 20-të sezonale.

Tjetër humbje për Oklahoma City Thunder, që vazhdon rënien e lirë dhe mund të rrezikojë zonën play off në Perëndim. Edhe pse Russel Westbrook ishte i papërmbajtshëm me 38 pikë, 5 asist dhe 10 rikuperime, sërish Thunder u mposhtën 104 – 88 nga Minnesota Timberwolves. Për skuadrën që drejtohet nga Donovan bien këmbanat e alarmit, pasi asgjë nuk po funksionon si duhet, edhe pse Oklahoma ka fatin të ketë në përbërje një basketbollist si Westbrook.

Rigjen më  në fund fitoren Atlanta Hawks, që iu imponua 97 – 110 Denver Nuggets, Charlotte Hornets – Dallas Mavericks përfundoi 111-115, siguroi fitoren e 6-të radhazi Miami Heat, që këtë radhë mposhti në transfertë Indiana Pacers 106-114. Washington Wizards – Utah Jazz u mbyll 104-107, Brooklyn Nets – Detroit Pistons 80-114, NeW York Knicks – Chicago Bulls 119-122, Memphis Grizzlies – New Orleans Pelicans 105-102 dhe Milwaukee Bucks – Orlando Magic 110-103.

To Top