Basketboll

NBA, rikthehen Durant e Curry, Warriors kalojnë Lakers, Oklahoma në krizë

Një spektakël i vërtetë basketbolli në Staples Center me Los Angeles Lakers që për një natë luajti si e barabartë përballë skuadrës më të mirë të NBA-së duke u kthyer në vëmendje tifozëve të saj kohët e arta, kur kalifornianët thoshin fjalën e tyre në garën për titull. Në fund gjithsesi festoi Golden State. Kampionët në fuqi iu falën dyshes së rikthyer nga dëmtimi Durant-Curry për të triumfuar pas kohës shtesë me rezultatin e ngushtë 127-123, megjithatë për Lakers mbetet krenaria se në këtë sezon situata në skuadër nuk është aq dramatike sa në vitet e fundit. 29 pikë realizoi Kevin Durant ndërsa Curry shtoi 28 të tjera në suksesin e Warriors me Golden State që regjistroi fitoren e 16-t sezonale duke i ushtruar presion Houstonit në garën për vendin e parë në Konferencën e Perëndimit. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes ishte Ingram me 32 të tilla, por pikët e tij nuk u mjaftuan Lakers-ave për të evituar disfatën numër 13 në këtë sezon. Tashmë janë 6 fitoret radhazi. Te Houston Rockets duhet të ndihen krenarë që kanë në skuadër një basketbollist si James Harden. Mjekëroshi bëri edhe njëherë tjetër raketën e vërtetë të teksanëve teksa me 29 pikë 10 asiste dhe 8 rebound, udhëhoqi Houstonin drejt një fitoreje të lehtë ndaj Indiana Pacers me shifrat 118-97. Në krizë të plotë Oklahoma City Thunder që pësoi humbjen e 3-t radhazi dhe të 5-tën në 6-të ndeshjet e fundit. Kualifikimi në play-off do të jetë një mision i vështirë për City Thunder në këtë sezon kur shikon që Oklahoma edhe me një Rusell Westbrook në superformë mposhtet keqazi nga Orlando Magic. Në Florida triumfuan vendasit me rezultatin 121-108 me Orlandon që flaku tutje krizën që e kishte përfshirë duke u rikthyer te suksesi pas 9 humbjeve rresht. E pamjaftueshme paraqitja pozitive e Rusell Westbrook për Oklahomën me yllin e City Thunder që koleksionoi në total 37 pikë 11 rebound dhe 5 asiste. Thjeshtë i mrekullueshëm Aaron Gordon në krahun tjetër me yllin e Orlandos që realizoi 40 pikë ndërsa i ndihmoi të tijët edhe me 15 rebound dhe 4 asiste.

To Top