Basketboll

NBA/ Golden State nuk ndalet, Mitchell shkëlqen te Utah

Golden State Warriors vijon të fitojë, teksa këtë herë ka mposhtur Orlandon me rezultatin 133-112, pavarësisht përjashtimit për protesta të Kevin Durantit, në 5 minutat e fundit. Klay Thompson ka shënuar më shumë dje, plot 27 pikë, kundrejt 25 të Durant dhe 23 të Stephan Curry, ndërsa për miqtë nuk mjaftoi forma e mirë e Aaron Gordonit, me 29 pikë.

Rikthehet të fitojë edhe Oklahoma, pas 2 humbjesh radhazi, teksa ka mposhtur Minnesotan me rezultatin 111-107. Vendasit e nisën fuqishëm takimin, por si zakonisht, lëshuan shumë në pjesën e fundit, duke bërë që të avantazhi prej 21 pikësh, të reduktohej në vetëm 4. Paul George me 36 pikë, Stevan Adams me 27 dhe Westbrook me 15, ishin protagonistët e fitores për Oklahoman.

Detroiti u mposht në Washington nga vendasit me rezultatin 109-91 dhe përfundoi në vendin e katërt, në Konferencën e Lindjes. Me John Wall-in e dëmtuar, për Wizards-at mendoi Marcus Morris me 23 pikë të shënuara, ndërsa Pistons-at u treguan shumë të pasaktë me goditjet për 3 pikë dhe e humbën sfidën në pjesën e 3-të, ku u mposhtën me rezultatin e thellë 35-15.

Donovan Mitchell shënoi plot 41 pikë dhe i dha fitoren e 5-të radhazi Utah Jazz-it, në përballjen me New Orleans Pelicans, me rezultatin final 114-108. Për Pelicans-at u ndie shumë mungesa e Anthony Davis, pasi askush nuk e kaloi kuotën e 20 pikëve të shënuara.

Spektakël dhuroi edhe sfida ndërmjet Chicagos dhe Sacramentos, e cila përfundoi me rezultatin 106-107. Bulls-at fituan pjesën e parë me rezultatin 31-29, por humbja në të dytën 29-32 rezultoi deçizive, pasi 2 pjesët e tjera, e 3-ta dhe e 4-a përfunduan në barazim 21-21 dhe 25-25.

Aldridge mori ‘ për dore’ edhe një herë San Antonio Spurs-at, duke shënuar 22 pikë në fitoren 79-95 në transfertë ndaj Memphisit, ndërsa Richardson shënoi 27 pikë për Miamin, në triumfin 105-100 ndaj Charlotte Hornets. Fitore mori edhe Toronto, që mposhti Indianan me rezultatin 120-115.

To Top