Basketboll

NBA, Cleveland fiton të 10-ën rresht, “buzëqesh” Bostoni

Është Cleveland Cavaliers skuadra e momentit në NBA. As Atlanta Hawks nuk arriti të ndalte ecurinë perfekte të Lebron James me shokë. Në Georgia, nënkampionët e NBA koleksionuan fitoren e 10-të radhazi duke ua bërë të qartë të gjithë skuadrave rivale se edhe në këtë sezon Cavaliers do të thonë fjalën e tyre në garën për titull. 121-114 në favor të Cleveland-it ishte rezultati i sfidës me Kevin Love e Lebron James që udhëhoqën skuadrën e trajnerit Tyron Lue drejt suksesit të radhës të 15-it në këtë sezon. Megjithatë Cleveland është ende larg vendit të parë në Lindje që mbahet nga Bostoni, pasi aktualisht skuadra nga Ohio pozicionohet e treta por duhet theksuar se është përmirësuar ndjeshëm pas startit katastrofik. Me 25 pikë 16 rebound dhe 2 asiste Kevin Love ishte më i miri mbi parket për Cavaliers, ndërkohë që mbreti James shtoi 24 pikë 12 asiste dhe 6 rebound në fitoren e miqëve. Atlantës që në këtë sezon po noton në ujra të turbullta për të evituar humbjen e 17-të sezonale nuk i mjaftuan 27 pikët e gjermanit Denis Schroder.

U rikthye te fitorja Boston Celtics që regjistroi suksesin e 19-t në këtë edicion pasi në TD Garden falë një Kyrie Irving në superformë skuadra më e titulluar e NBA-së kaloi Philadelfia 76ers me rezultatin 108-97. 36 pikë realizoi Irving në këtë sfidë për Bostonin ndërsa basketbollisti nga Republika Domenikane Al Horford shtoi 21 të tjera duke ndihumar Celtics t’i riktheshin rezultateve pozitive.

Të gjithë e njohin si skuadrën e legjendës Michael Jordan por tashmë Chicagos i ka mbetur vetëm emri. Bulls-at vazhdojnë të koleksionojnë rekorde negative në këtë sezon teksa janë futur në një rrugë pa kthim. Me rezultatin e ngushtë 111-110 Chicago u mposht në Colorado nga Denver Nugetts duke pësuar humbjen e 12-t në 13 ndeshjet e fundit.

Spikat edhe disfata e Los Angeles Clippers brenda në Staples Center përballë Utah Jazz me rezultatin e thellë 126-107, me skuadrën nga Salt Lake City që regjistroi fitoren e 4-t rresht duke rikthyer me këmbë në tokë Clippers-at të cilët pas tre fitoresh pësuan një tjetër humbje. Burks me 28 pikë 5 asiste dhe 7 rebound ishte heroi i Utah në këtë sukses shumë të rëndësishëm.

To Top