Basketboll

NBA, asnjë surprizë Houston-Golden State finalja e Perëndimit

Përmbushen të gjitha parashikimet në Konferencën e Perëndimit aty ku do të kemi një finale ëndrrash mes skuadrës më të mirë të sezonit të rregullt në NBA Houston Rockets dhe kampionëve në fuqi të Golden State Warriors. Asnjë surprizë nga New Orleans dhe Utah që u eliminuan në ndeshjet e 5-ta të serisë së gjysmëfinaleve të Perëndimit me rezultat të përgjithshëm 4-1. Këtë herë Anthony Davis nuk mjaftoi. Ylli i Pelicans shkëlqeu sërish me 34 pikë 19 rebound dhe 1 asist por në Oracle Arena diferencën e bëri grupi i Golden State Warriors me skuadrën nga Oakland që triumfoi me shifrat 113-104 duke eliminuar përfundimisht formacionin e trajnerit Alvin Gentry. Stephen Curry u rikthye në nivelin e tij më të lartë duke rezultuar basketbollisti më i mirë mbi parket për Warriors me 28 pikë 8 asiste dhe 7 rikuperime, ndërkohë që dy yjet e tjerë Golden State, Kevin Durant dhe Klay Thompson shtuan respektivisht 24 dhe 23 pikë në këtë sukses të rëndësishëm. Paraqitje mbresëlënëse edhe ajo e Jrue Holiday i cili preku shifrat e dyfishta në çdo aspekt të lojës me 27 pikë 11 asiste dhe 10 rebound por pa mundur të evitojë humbjen e Pelicans.

Nuk zhgënjeu as Houston Rockets që dominoi ndaj Utah Jazz në ndeshjen e 5-të, duke prerë biletën e finales së Konferencës. Këtë herë nuk ishte James Harden heroi i skuadrës teksane por Chris Paul.  Thjeshtë i mrekullueshëm ish basketbollisti i Clippers i cili realizoi 41 pikë në suksesin 102-102 të Rockets ndërsa shtoi edhe 10 asiste e 7 rebound. Paraqitje poshtë pritshmërive ajo e Harden autori i vetëm 18 pikëve. Tashmë do të jetë radha e finales së Perëndimit me Houstonin që do të ketë avantazhin e parketit ndaj Golden State teksa dy sfidat e para do të zhvillohen në Toyota Center.

To Top