Basketboll

NBA, 38 pikët e Durant janë pak, Rockets barazojnë 1-1 serinë me Warriors

Houston Rockets rikthehen me prepotencë në përballjen e dytë të serisë finale ndaj Golden State Warriors në Konferencën e Perëndimit në NBA. James Harden me shokë shkatërruan 127-105 kampionët në fuqi, duke i dhënë një mësim të mirë formacionit të Steve Kerr, që u shfaq pa grintën e duhur, edhe pse Kevin Durant rezultoi më i miri mbi parket me 38 pikë. Vetëm ish-basketbollisti i Thunder mori vlerësime maksimale, pasi pjesa tjetër e skuadrës nga Oakland ishte apatike, sidomos në fazën mbrojtëse.

Nga 27 pikë secili realizuan Eric Gordon dhe James Harden për vendasit, të cilët e morën kryesimin në fund të periodës së parë, pas një starti të ekuilibruar, për të mos e lëshuar deri në fund, duke fituar madje me 22 pikë diferencë.

Përballja mori drejtim të pakthyeshëm nga fundi i pjesës së parë, me Rockets që u shkëputën deri +19 pikë. Skuadra e Marc D’Antonit, e vendosur dhe me grintën e duhur për të barazuar serinë, nuk lëshoi terren gjatë pjesës së dytë, ndonëse në momente të veçantë Golden State tentoi të rihapte takimin.

Warriors e kuptuan se nuk mund të bënin asgjë në mesin e periodës së fundit, duke e ulur ndjeshëm ritmin, për të ruajtur energjitë për përballjen e tretë të Serisë, që do të zhvendoset në “Oracle Arena” të Oaklandit, me faktorin fushë që tashmë shkon në favor të Sthephen Curry-t me shokë.

To Top