Premier League

Mourinhos i është sosur durimi, Pogba pranë largimit nga United

Jose Mourinho nuk shquhet për cilësitë e ndonjë murgu tibetian dhe si i tillë dhe durimi i portugezit ka një fund. Në këtë kontekst, aventurës së Paul Pogbasë i ka ardhur fundi, pasi tekniku e ka listuar francezin te lojtarët që do të largohen këtë verë nga klubi i “Old Trafford”.

Marrëdhëniet e Mourinhos me 25-vjeçarin kanë ardhur duke degraduar gjithnjë e më shumë këtë sezon, edhe pse francezi ishte blerja më e bujshme e klubit anglez që para dy vitesh pagoi shifrën e 89 milionë paundëve për kartonin e tij. Në 7 nga 11 ndeshjet e fundit të United Pogba është lënë në stol, siç ishte dhe rasti i fundit i humbjes në shtëpi ndaj West Brom.

Askush nuk e parashikoi në 2016-ën se rikthimi i lojtarit të formuar në akademinë e United pas aventurës me Juventusin do të rezultonte i dështuar. Gjithsesi, duhet thënë se vetë Pogba ka bërë maksimumin për t’iu përshtatur regjimit dhe stilit të Mourinhos, por nuk ka arritur të gjejë hapësirën dhe përformancën e njeriut të ndeshjes.

Shihet me dyshim aktivizimi i tij edhe në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit për United, atë me Tottenhamin në gjysmëfinalet e FA Cup të shtunën. Pogba është në listën e atyre që projektohen për t’u larguar këtë verë, ku përfshihen edhe emrat e Anthony Martial, Matteo Darmian dhe Daley Blind.

To Top