Premier League

Mourinho tremb United-in: Nuk do të jetë klubi i fundit që drejtoj

Jose Mourinho shtang tifozët e Manchester United, teksa deklaron që në të ardhmen do të largohet nga ‘Old Trafford’, pavarësisht fjalëve se drejtuesit e klubit i kanë ofruar atij një kontratë për të rinovuar me “djajtë e kuq”. Trajneri portugez shpjegoi për “Telefoot” se është i sigurt që nuk do ta mbyllë karrierën e tij si trajner, në krye të Manchester United, pasi ushqen ende ambicie për eksperienca të reja.

54-vjecari nga Setubali është në sezonin e tij të dytë te “red devils”, pasi firmosi një kontratë 3-vjeçare në vitin 2016, gjithsesi rekordmenët e Anglisë janë përmirësuar ndjeshëm, teksa pozicionohen në vendin e dytë pas tetë javëve të para në Premier League. Pas fillimit të shkëlqyer të United, në shtypin britanik u spekulua shumë me hipotezën e shtyrjes së kontratës nga ana e trajnerit luzitan, pasi drejtuesit shfaqën shqetësimin e tyre për faktin që Mourinho mund të hyjë në vitin e fundit të marrëveshjes, i pavendosur për të ardhmen e tij.

Gjatë muajit shtator trajneri luzitan shprehu dëshirën për të qëndruar për shumë vite në këtë klub, sidoqoftë tifozët e United që kishin shpresuar për një mbretërim të gjatë të Mourinho-s në krye të “djajve të kuq” kanë arsye të forta për të mbetur të zhgënjyer, pas deklaratës së tij më të fundit. “The special one” rrëfeu për “Telefoot” se e vetmja gjë që mund të thoshte me siguri për veten, është që ai vazhdon të jetë një trajner me shqetësimet e tij, me ambiciet dhe dëshirën për të bërë gjëra të reja. Mourinho deklaroi me siguri të plotë që klubi ku do të mbyllë karrierën e tij si trajner nuk do të jetë Manchester United.

Trajneri portugez thuri elozhe edhe për francezin Paul Pogba, për të cilin deklaroi se mund të bëjë historinë e futbollit dhe mund të shndërrohet në një prej futbollistëve më të mëdhenj të këtij sporti, ndërsa në fund trajneri luzitan preku gjithashtu edhe çështjen e Pep Guardiolës, që në vitin 2008 sipas zërave të pakonfirmuar i rrëmbeu vendin në krye të Barcelonës, sidoqoftë 54-vjeçari la të kuptohet që për këtë temë ndoshta mund të japë hollësi në të ardhmen, pasi detaje të tilla të karrierës preferon që t’i mbajë për vete.

To Top