Ligue 1

Monaco përmbys Nanten dhe “blindon” vendin e dytë

Monaco konfirmohet forcë e dytë në kampionatin francez, teksa arriti të mposhtte 2-1 ekipin e Nantes. Vendasit vinin në këtë përballje si favoritë, por takimi nisi jo mirë për ta. Në minutën e 32-të skuadra nga Principata e pa veten në disavantazh, pasi Thomasson shënoi një gol shumë të bukur nga distanca.

Menjëherë pas këtij momenti, Monaco u hodh në sulm, duke e mbyllur kundërshtarin në portën e tij. Përmbysja erdhi në harkun kohor të tre minutave. Në të 42-ën Radamel Falcao riktheu ekuilibrat në rezultat. Pas sulmuesit kolumbian ishte radha e portugezit Rony Lopez, i cili me një të majtë potente mposhti sërish poriterin Tatarusanu.

Përpjekjet e Nantes ishin të padobishme në pjesën e dytë, sepse Monaco arriti të rezistonte deri në vërshëllimin përfundimtare të arbitrit, duke rrëmbyer tri pikët dhe blinduar vendin e dytë në renditje dhe tashmë e gjithë vëmendja është për sfidën e javës së ardhshme kundër PSG.

To Top