Bundesliga

Meritan Shabani, talenti shqiptar firmos me Bayernin (video)

Një talent shqiptar firmos kontratë profesioniste me Bayernin e Mynihut. Bëhet fjalë për pjesëtarin e skuadrës U-19 të klubit bavarez, Meritan Shabani, që ka nënshkruar deri më 30 qershor të vitin 2020 me kampionët e Bundesligës. Në faqen zyrtare të Bayernit, mesfushori me tipare sulmuese, i lindur më 15 mars të vitit 1999, shfaqet përkrah drejtorit sportiv, Hasan Salihamidzic, i cili theksoi:

“Meritani është një talent i madh dhe mjaft premtues, i cili ka kaluar në të gjitha ekipet e akademisë sonë. Jemi shumë të kënaqur që kemi mundur të nënshkruajmë një kontratë afatgjatë. Ai i ka treguar cilësitë e tij në stërvitje me ekipin e parë dhe në debutimin e tij më 28 prill ndaj Eintracht Frankfurt”.

Shabani, me prindër me origjinë nga Shtimja në Kosovë, është 1 metër e 85 centimetra i gjatë, konisderohet një lojtar me të ardhme, por nuk është aktivizuar me përfaqësueset e moshave të Gjermanisë, edhe pse është grumbulluar me U-18 për miqësoret me Irlandën dhe Irlandën e Veriut në nëntor të 2016—ës.

“Bayerni është klubi im,” – u shpreh talenti me origjinë nga Kosova. “Jam shumë i lumtur që po më jepet kjo mundësi. Do të punoj fort dhe do të mësoj shumë në ekipin e parë vitet që do të vijnë.”

Këtë sezon, 19-vjeçari Shabani ka shënuar 8 gola dhe ka dhënë 5 asiste në 20 takime në kampionatin e të rinjve. Ai gjithashtu ka luajtur në 6 ndeshje dhe ka realizuar një gol në “UEFA Youth League”.

To Top